NGA FATMIRA NIKOLLI*

Ky është një udhëtim natën përmes vende-ve të braktisura të Shqipërisë socialiste. Vende, që dikur ishin simbole të një regjimi totalitar, ndërsa sot janë emblemë e sfidës së institucioneve dhe shoqërisë shqiptare në përballjen me të shkuarën e mundimshme të regjimit.

Sot në galerinë “Zeta” prezantohet projekti “Nata e regjimit”, me foto e video nga godinat e ndërtesat simbol të komunizmit.
Bëhet fjalë për projekt e ekspozitë që merret me sfidën politike të institucioneve demokratike dhe shoqërisë që përballen me të kaluarën e papërshtatshme dhe të pakëndshme komuniste në të tashmen e Shqipërisë.

Projekti i realizuar nga Antonio Fantasia dhe Erion Gjatolli jep ndihmesën e vetë përmes një qasjeje multidisiplinare, të të kuptuarit të procesit të gjatë të ballafaqimit me të kaluarën totalitare dhe i jep njëherësh njohuri publikut mbi shoqërinë dhe politikën e periudhës post-komuniste në Shqipëri.

Dy autorët kanë prej 2014-ës që punojnë me këtë projekt- dokumentimin e objekteve të braktisura komuniste. Projekti kombinon artet vizuale, një hulumtim dokumentues dhe dëshmi me një përfshirje të drejtpërdrejtë të qytetarëve shqiptarë; çka stimulon një dialog social mes brezash dhe promovon ruajtjen e trashëgimisë kulturore.

Godinat/vendet
Dy autorët, Fantasia e Gjatolli thonë se shumë shpesh, e shkuara socialiste e Shqipërisë qëndron e pavënëre, por mbetet gjithsesi në mendjet dhe kujtimet e njerëzve, merr trajtën e frikës dhe padrejtësive të mbetura të pandëshkuara.

“Një e shkuar thjesht e pathënë, e larguar nga drita e diellit, nga drita e ndërgjegjes. Veçse ndonjëherë kthehet natën për t’iu fanitur të mbijetuarve. Godinat e fotografuara rrëfejnë këtë të shkuar që hiqet si e harruar. Ato lartësohen në vijën e horizontit të qytetit apo shndërrojnë territorin përreth. Janë godina të harruara – tëpashembura e të pashfrytëzuara për qëllime të tjera. Shpesh janë pa pronarë dhe numri i saktë nuk njihet. Së bashku, përfaqësojnë të gjitha aspektet e jetës sociale dhe politike gjatë regjimit: industrinë, godinat ushtarake, sistemin hekurudhor, aeroportet, minierat, burgjet, kampet e punës, radiostacionet, statujat, monumentet dhe mauzoletë, rezidencat për nomenklaturën, vendet e pushimit”, thonë dy realizuesit e projektit, Gjatolli e Fantasia.

Ky udhëtim bashkon fotografitë me dëshmitë e njerëzve që i kanë përjetuar këto vende gjatë regjimit apo që janë të angazhuar sot me projekte rijetëzimi të tyre. Synimi është të rivendoset kujtesa kolektive dhe historike që lidhet me këto vende për t’i rimenduar dhe imagjinuar si peizazh kulturor dhe si burim për zhvillimin vendor.

Rrënojat e një sistemi politik të shembur së fundmi, “zona të ndaluara” e shkuara e të cilave është ende e dukshme, mund të “zbulohen” nga artistë, planifikues, arkitektë, përfaqësues të komunitet dhe aktivistë si hapësira të artit publik, të përvetësimit kulturor, turizmit, prodhimit artizanal apo për qëllime të tjera përshtatjeje dhe ripërdorimi. Pjesë nga intervistat e mbledhura do të shfaqen në ekspozitë. Projekti është i vetëfinancuar. Fotografitë janë në shitje, në edicion të kufizuar, ndërsa përfitimet do të përdoren për botimin e një libri.

Projekti
Projekti synon të zgjojë interesin ndaj vendeve të braktisura përmes fotografive dhe videove, duke sjellë intervista me njerëz që i kanë njohur dhe kanë jetuar a punuar në to gjatë periudhës komuniste. Intervista që prezantohen sonte në mbrëmje në “Zeta” janë të studiuesve, artistëve, etj., që janë angazhuar për t’i ripërdorur këto vende për qëllime të tjera.

Fotografitë dhe intervistat janë grupuar në 5 tema, që përshkruajnë jetën nën regjimin komunist e që simbolizohen nga vende të braktisura: 1. Prania ushtarake dhe mbrojtja nga kërcënimi i jashtëm; 2. Trashëgimi ekonomike dhe marrëdhëniet me vende të tjera komuniste; 3. Persekutimi i kundërshtarëve politikë të regjimit; 4. Kufizimi i lirisë së shprehjes dhe 5. Idealizimi i udhëheqësve dhe privilegjet e “nomenklaturës”. Një ekstrakt nga një intervistë e Klement Kolanecit, arkitekt i Piramidës, cili u nda nga jeta pak muaj më parë, është përfshirë në videon që prezantohet.

(m.k/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: