Shkrimtari Bedri Islami në emisionin “Kjo Javë” në “News24”, foli për librin më të fundit të tij, “Nata pa të nesërme”.

Autori, djali i Zenel Islamit nga u frymëzua Migjeni me personazhin e “Lulit të Vocërr” , në bisedën në studio me gazetaren Nisida Tufa  rrëfeu se në libër përshkruan jetën dhe dramën e familjes së tij, ku kryefjalë mbetet babai i tij.

“Është një ngjarje madhore që ndryshon fatin e një familjeje dhe të një fisi. Në të vërtetë jeta jonë si familje apo një fisi të tërë ndryshoi brenda 3 ditëve. Filloi në natën e 8 korrikut të vitit ’61 dhe u mbyll me 10 korrik për të pasur pasoja shumë vite më pas. Në moshën 11-12 vjeçare, babai tërhoqi vëmendjen e një shkrimtari të jashtëzakonshëm si Migjeni. E beftë për këdo është parashkimi i Migjenit, në rreshtin e fundit të prozës Zeneli thotë se shpesh më pëlqen të mendoj për ardhmërinë e Zenelit. Në 25 vite më vonë

Duket se ka qenë një fëmijë, jo i natyrshëm përderisa Migjeni ngulmoi që të ishte aktiv. Por duhet të ketë pasur diçka më shumë se pak më vonë një shkrimtar tjetër bëri një tjetër shkrim, ‘Takimi me Zenelin”. Unë kam qenë 10 vjeç ku babai ka humbur jetën”, ka treguar shkrimtari gjatë bisedës me gazetaren Nisida Tufa.

Zenel Islam me origjinë nga Dedaj i Pukës, i cili në periudhën e Monarkisë së Zogut, së bashku me motrën e tij, ishte një nga nxënësit e poetit të njohur shqiptar, Millosh Gjergj Nikolla, apo siç njihet ndryshe, Migjeni.

Duke qenë një fëmijë mjaft i zgjuar dhe me shumë veti dalluese nga bashkëmoshatarët e tjerë, Zenel Islami pati rastin dhe fatin gjithashtu të ishte jo vetëm nxënës i Migjenit të madh, por edhe një nga fëmijët më të preferuar të asaj shkolle për mësuesin poet, që në vitin 1937 i kushtoi atij edhe tregimin, “Dy Zenelët”, gjë të cilën Migjeni i famshëm e ka dëshmuar vetë me anë të një letre drejtuar Ministrit të Arsimit në atë kohë, ku i sugjeron se: “Zenel Islami, personazh i tregimit që ju kam dërgu me e lexu…të pranohet edhe si shërbëtor shkolle”.

Në atë tregim, Migjeni i famshëm në një farë mënyre jo vetëm që e përjetësoi Zenelin e vogël në krijimtarinë e tij letrare, por dhe i parashkroi fatin e jetës së tij…?!

Zenel Islami ndoqi gjimnazin e Shkodrës e me pas u përfshi në Levizjen Antifashiste dhe aty e mori Jordan Misja i cili ishte mësues në Pukë. Në ketë periudhë Zeneli është njohur edhe me një ndër herojtë e ardhshëm të Vigut, Naim Gjylbegu.

Pas përfundimit të Luftës me mbështetje të Nako Spirus dhe Liri Belishoves, Zeneli emërohet Sekretar i pare Komitetit të Rinisë së Pukës dhe Kryetar i Rinisë së Qarkut të Shkodres dhe një vit më pas emërohet Sekretar i Parë i Komitetit të Partisë të Pukës.

Gjatë periudhës që shërbeu në rrethin e Pukës si sekretar i parë ku nuk ishte më shumë se 20 vjeç, Zenel Islami pati probleme të shumta me Sigurimin e Shtetit, pasi ai edhe si vëndali që ishte, morri në mbrojtje disa nga familjet e ashtuquajtura reaksionare të asaj krahine dhe kryesisht të Kryeziut, ku regjimi komunist i kohës ushtroj një terror të madh me vrasje, burgime dhe internime, pasi ai vënd njihej si “çerdhe e reaksionit“ për shkak se ishte fshati i familjes Mirakaj.

Në këtë periudhë kohe Zeneli u detyrua që t’i shkruante një letër të gjatë Enver Hoxhës, ku i sqaronte dhe i bënte me dije jo vetëm për intrigat “koçixoxiste“ të Sigurimit të Shtetit, por edhe për vrasjet që ishin bërë aty, si p.sh. Zenel Çobën dhe Lek Berishën, të dy komunistë të orëve të para dhe miq e bashkëpunëtorët më të ngushtë të Zenelit, për të cilët Sigurimi kishte hapur fjalë (“legjenduar“), sikur ishin vrarë nga diversantët.

Pas kësaj Zenelin do ta largonin nga rrethi i Pukës dhe ai do të transferohej në rrethin e Lezhës po me detyrën e sekretarit të parë, gjë e cila solli një irritim të madh të gjithë rrethit të Pukës që e donin dhe e respektonin atë si djalin e tyre.

Pasi shërbeu disa kohë në rrethin e Lezhës, Zeneli do të dërgohej për studime në ish-Bashkimin Sovjetik, duke u diplomuar me rezultate të larta në Fakultetin e Filozofisë në Moskë, ku vlen të theksohet se sipas disa dokumentave arkivore ai dhe disa studentë të tjerë kanë qenë nën survejimin e organeve të Sigurimit të Shtetit.

Por para se të shkonte për studime në Bashkimin Sovjetik, në vitin 1956 Zenel Islami morri pjesë në ceremoninë madhështore të rivarrimit të eshtrave të Migjenit në qytetin e Shkodrës, duke mbajtur arkivolin dhe fjalimin kryesor, si ish-nxënës dhe personazh i Migjenit, gjë e cila në një farë mënyre do ta popullarizonte shumë emrin dhe figurën e Zenelit jo vetëm në popull, por edhe tek udhëheqja e lartë e PPSH-së.

Pas kthimit nga Moska Zeneli u emërua si Sekretar i Komitetit të Partisë së rrethit të Elbasanit dhe më 6 korrik të vitit 1961 ai u emërua me detyrën e kryetarit të Komitetit Ekzekutiv të atij rrethi, detyrë të cilën ai nuk mundi ta ushtronte dot, pasi duke u gdhirë 9 korriku i atij viti, ai u gjet i vrarë në fshatin Labinot Mal, ku kishte shkuar bashkë me disa kuadroi të tjerë të atij rrethi për të marrë pjesë në festimet e 10 korrikut, festës së Ushtrisë Popullore.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: