Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha ka reaguar në lidhje me ndalimin e aktivistëve të flotiljes, mes tyre dhe shqiptari Baki Goxhaj. Ai deklaroi sot përmes një postimi në rrjetin social “X” se imazhet e publikuara nga ministri izraelit Itamar Ben-Gvir që tregojnë trajtimin poshtërues janë të papranueshme.
“Të gjithë personat e ndaluar duhet të trajtohen me dinjitet dhe në respekt të plotë të të drejtave të njeriut, ligjit ndërkombëtar dhe ligjit humanitar”, u shpreh Hoxha në reagim.
Ai njoftoi se ka udhëzuar ambasadën shqiptare në Tel Aviv që të mbetet në kontakt dhe koordinim të ngushtë me autoritetet izraelite në mënyrë që të sigurohet që qytetarit shqiptar t’i ofrohet ndihma e duhur konsullore, sipas nevojës dhe në përputhje të plotë me ligjin ndërkombëtar.
Misioni i ri i flotiljes, që synonte të çonte ushqime dhe ilaçe në Gaza përmes detit, duke thyer bllokadën detare të Izraelit, ishte interceptuar nga marina izraelite në brigjet e Qipros.
Mes aktivistëve raportohet se ndodhet edhe shqiptari Baki Goxhaj.
Disa ditë më parë, MEPJ njoftoi se “është vënë prej momentit të parë në komunikim me autoritetet izraelite kompetente për të siguruar informacion të plotë mbi situatën dhe për të garantuar respektimin e të drejtave të shtetasit shqiptar”.
