Nga fillimi i viteve ’60 në Berat, lagjia “Murat Çelepie”, te kthina brenda dyqanit të berberëve, njeriut pas xhamit i kisha paguar paratë, kisha marrë prej tij faturën dhe po mbaja radhën të qethesha. Një grua e moshuar hyn, i përkulet atij njeriut pas xhamit, merr t’i puthë dorën, duke i pëshpëritur nën zë: “Myfti efendi, Myfti…” Burri me shtat të dobët nëpunësi u shkëput prej saj me drojë dhe plot urtësi e nxori jashtë dyqanit.
Ç’po ndodhte?
Ky faturisti i përulur i dyqanit të berberëve, ky ish-myftiu i qytetit të Beratit, ky na ishte Vexhi Buharaja. Aty e pashë, aty pyeta e dëgjova për të për herë të parë. Më vonë lexova se studiuesin orientalist, përkthyesin nga persishtja dhe osmanishtja, V. Buharanë e çmonin E. Çabej, A. Buda etj. Ishte bashkëpunëtor i jashtëm i Institutit të Historisë, Tiranë.
Vexhi Buharaja (1920-1987) sot njihet si poet, përkthyes, filolog, në veçanti orientalist me kontribute për kulturën shqiptare.
Jetoi e punoi nën diktaturën komuniste shqiptare dhe erdhi tek ne si gamilja që përshkon udhën e gjatë nëpër shkretëtirë. Barrët e arta të shekujve orientalë i barti, i solli, i shkarkoi tek ne: Firdusin, Gjylistanin e Saadiut, Ëndërrimet (Tehajulat) e Naimit… Dhe iku larg, u fsheh prapë nën retë e ndritshme e të padukshme të pafundësisë.
Tërë kohën jetoi e punoi nën hije si prushi nën hi.
Kam pasur rastin ta njoh, ta takoj, kam folur me të, kam thithur të njëjtin ajër; të njëjtat valë lumi shushuritëse a të turbullta të Osumit kanë prekur membranat në veshët tanë.
Asgjë më shumë.
Berati që nga shekulli i 6-të ruajti kodikun Beratinus, një fanitje e shenjtërisë, e ylbereve me frymë, shkronjë dhe fytyrë të dritës bizantine.
Onufri i “qytetit shumë të ndritshëm”, Beratit, është sot pasuri botërore nën strehën e Uneskos…
Me Vexhi Buharanë Berati shkoi në shekullin e 11-të te gjeniu Persian Firdusiu.
Një mrekulli…ky kryqëzim kulturash.
Midis janë dhe Nezim Berati (Nezim Frakulla), Ismail Pashë Velabishti, S. Naibi e të tjerë, e të tjerë…
Thesaret, misteret, e të shkuarës i shërbejnë të sotmes…me mrekullinë e së padukshmes. Me mrekullinë e së përjetshmes.
Vexhiu ishte eseist e poet në shtypin e viteve ’30-’40, ndaj i solli aq mirë poetët… Naimin, persianët.
Si pedagog në Filologjik, poetit e studiuesit beratas, Yzedin Himës, i kam bërë një recencë doktorature mbi V. Buharanë. Aty u njoftova dhe mbi fakte e vlerësime të panjohura për atë… për të paharruarin Vexhi Buharaja.