ITALI-Ka ndërruar jetë në moshën 84-vjeçare shkrimtari dhe filozofi i njohur italian Umberto Eco. Shkrimtari ka ndërruar jetë në shtëpinë e tij, ndërsa lajmi konfirmohet nga familjarët. Eco ka shkruar një sërë veprash letrare shumë prej të cilave janë përkthyer edhe në gjuhën shqipe, ndërsa disa prej tyre janë realizuar edhe  filma. ‘Emri i trëndafilit’ është realizuar film në vitin 1989 me aktorin skocez Sean Connery.

Eco themeloi Departamentin e Komunikimit në Universitetin e San Marinos në vitin 1980, ndërsa ishte profesor dhe president i shkollës së Lartë të Shkencave Humane në Universitetin e Bolonjës. Umberto Eco lindi në Alessandria, në Italinë veriore, në vitin 1932. ‘Unë jam filozof, shkruaj romane vetëm në fundjavë’-citohet të ketë thënë Eco kur ishte gjallë.

Umberto Eco ishte një nga filozofët, kritikët letrarë dhe novelistët më të shquar të kulturës italiane dhe ndërkombëtare.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: