Teksa dosja për ish-ministrin e Mbrojtjes Fatmir Mediu ka kaluar në Gjykatën e Posaçme, SPAK në njoftimin zyrtar ka deklaruar se ka ndarë një çështje penale ku po heton për veprën penale të korrupsionit.

I ftuar sot në News24, Mediu shprehet se ky proces është tërësisht politik dhe mediatik dhe nuk ka lidhje me tragjedinë e Gërdecit.

“Proces politik dhe mediatik që nuk ka të bëjë me çështjen e Gërdecit. Kjo çështje e 2009 është përcjellë pa asnjë shtesë, po me të njëjtën dosje dhe prokurorë, dhe për më tepër nga pikëpamja procedurale është një çështje e parashkruar, dhe sillet për interesa që nuk kanë të bëjnë me tragjedinë. Nuk mund t’i bëj interpretim tjetër.

Kjo çështje sa herë ka pasur zgjedhje është risjellë në vëmendje. Ideja për ta marrë nga hiçi këtë dosje për ta sjellë nga prokurorët e SPAK, ndërkohë që ka qenë në Prokurorinë e Përgjithshme, e cila kur është kërkuar të rihapet çështja ka thënë se nuk ka bazë ligjore, sillet për interesa që nuk kanë të bëjnë me çështjen”, shprehet Mediu.

Nga ana tjetër ai u shpreh se prokuroria në atë kohë, ndërtoi sipas tij një fabul ku thuhej se demontimet kryheshin me qëllime kriminale, gjë që sipas Mediut është absurde.

“Prokuroria në atë kohë ndërtoi një fabul se demontimet bëheshin për qëllime kriminale, gjë që është absurde dhe është bërë para se të isha ministër, dhe ka qenë detyrim sipas strategjisë së sigurisë kombëtare. Ishte një bazë ligjore dhe fillon me ligjin për pushtetet dhe autoritetet. Proceset e demontimeve kanë pasur viktima, nuk ka qenë vetëm në Gërdec. Të tilla janë proceset, me rrezikshmëri jo të vogël. Pas Gërdecit në Poliçan kemi pasur një viktimë në fabrikën e demontimit të municioneve”, pohoi ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: