Trajneri i Dinamo City, Dritan Mehmeti dha mendimin e tij para ndeshjes me Kukësin.

“Brenda 9 ditëve na bëhen 3 ndeshje dhe është një kalendar i ngjeshur. Jemi munduar të rikuperojmë forcat në aspektin fizik dhe ta përgatisim siç duhet ndeshjen, që është një transfertë e vështirë. Jemi në një pikë deçizive të kampionatit.

Kemi mungesat e Gudiabit dhe Zabërgjës për kartonë, si dhe të Kaçorrit të dëmtuar, por edhe të Karambës. Fitorja të jep bonus emocional, entuziazëm, por duhet të jesh i përqendruar, me këmbë në tokë.
Të gjitha skuadrat kanë nevojë për pikë dhe ta bëjnë më të vështirë. Javët e fundit kemi qenë goxha mirë në interpretimin e lojës, por në disa raste duhet të jemi më pragmatistë dhe më racionalë për të shkuar te fitoja. Pikët janë jetike.

Kukësi vjen në një moment shumë të mirë, ka edhe disa elementë që mund të bëjnë diferencën, është skuadër simpatike, që lufton fort dhe duhet ta kemi kujdes. Për fushën duhet të përshtatemi, duhet të përgatitemi, duke kërkuar diçka tjetër, si goditjet standarde.

Skuadra është organizuar mirë dhe shpesh kemi pasur mungesa, pjesa tjetër ka bërë mirë. Besoj se forcën e kemi te grupi, jo tek inidividi. Kjo na ka ndihmuar të përmirësojmë lojën dhe rezultatet. Kur ke konkurrencë, ke edhe cilësi.

Jemi të vetëdijshëm për rëndësinë që ka kampionati tani. Është më e rëndësishme që këtë pozicion ta kemi pas 7 javësh, në fund të kampionatit. Të përqendrohemi te ndeshja e radhës, duke vlerësuar kundërshtarin. Nëse do të dimë të vlerësojmë këto 90 minuta, do ta kemi më të lehtë për ndeshjet pasardhëse.

Tahiri? Është pjesë e skuadrës, ka bërë mirë. Është treguar profesionist gjithë kohës. Skuadra ka nevojë për Tahirin dhe gjithë lojtarët. I ka mundësitë ta nisë nga fillimi, sepse është prezantuar mirë dhe shpresojmë që të bëjë mirë”, – tha trajneri Mehmeti.

Dinamo City nuk ka të gatshëm për ndeshjen me Kukësin Gudiabin dhe Zabërgjën të skualifikuar, si dhe Kaçorrin dhe Karambën për dëmtime.

(J.S/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: