Në mbledhjen e zhvilluar ditën e sotme në Kryeministri për ndeshjen Shqipëri-Serbi, kryeministri Edi Rama, së bashku me Ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, kreun e FSHF-­së, Armando Duka dhe Kryetarin e Shërbimit Informativ të Shtetit, Visho Ajazi kanë rënë dakord për të vendosur masa strikte në lidhje me këtë sfidë.

Kombëtarja Shqiptare do të përballet me 8 tetor të këtij viti në “Loro Boriçi”, në Shkodër me përfaqësuesen e Serbisë. Për të shmangur çdo incident të mundshëm, Kryeministri Rama, ka bërë të ditur se policia shqiptare do të ndërmarrë masa të rrepta para kësaj sfide për të shmangur çdo problem të mundshëm, si në natën e Beogradit.

Për këtë takim kishte shkruar edhe gazeta serbe, “Kurir”, e cila i mëshonte faktit që në ndeshjen e kthimit, Rama dhe Vuçiç do ta shohin bashkë ndeshjen.

Një masë tjetër e rëndësishme është se çdo tifoz që kërkon të blejë biletë për këtë ndeshje, duhet të ketë me vete kartë identiteti ose pasaportë, në të kundërt, nuk do t’i shitet bileta. Kjo masë vjen për dy arsye, së pari ka të bëjë me sigurinë në stadium, në mënyrë që policia dhe autoritetet t’i kenë të skeduar të gjithë tifozët dhe t’ua ndalojnë hyrjen personave me precedentë penalë, dhe së dyti ka të bëjë me parandalimin e shitjeve të biletave në tregun e zi, shkruan “Panorama Sport”.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb