Ilir Daja kërkon të ul presionin përpara derbit të kryeqytetit duke e konsideruar si ndeshje e radhës që vlen tre pikë, sigurisht e shoqëruar me një bonus të madh psikologjik. Të kuqtë vijnë në përballjen e dytë sezonale në kushte perfekte, grupi është i gjithi në dispozicion, përfshi këtu edhe Erald Çinarin që i ka dha fund dënimit të FIFA-s dhe është vendosur menjëherë në dispozicion të trajnerit. Në konferencën për shtyp Daja foli dhe për diferencat mes dy ekipeve dhe peshën që mund të ketë kjo sfidë për pjesën e mbetur të sezonit:

Çfarë duhet të bëjë Partizani ndryshe nga derbi i kaluar?

Unë do të thoja që pjesën më të madhe duhet të jemi të kujdesshëm siç kemi qenë në derbin e kalur dhe të shohim në shumë në mbështetjen me disa lojtarë në zonën e golit të kundërshtarit.

Sa ju ndihmon Çinari, “blerja” më e re e merkatos së janarit?

Do ta quaja si një blerje të re. Përveç se është një nga lojtarët kryesor të kampionatit shqiptar dhe Partizanit është një vlerë e shtuar për vetë faktin se e njeh ekipin dhe kampionatin. Ka qenë pjesë e jona gjatë kësaj periudhe. Do kohën e vetë për të marrë formën, sepse nuk ka ndeshje zyrtare të luajtura. Them se do të jetë “ogur” i mirë për të përballuar me sukses ndeshjen e nesërme.

Do të ketë minuta për Çinarin?

Çinari është pjesë e grupit që nga fillimi i këtij sezoni. Ka qenë pjesë e manovrës, por e munguar. Ndoshta nuk mund të jetë pjesë e formacionit, sepse jemi përgatitur gjatë gjithë javës me mungesën e Çinarit, por që patjetër në momentin e duhur do ta hedhim në fushë. Është një lojtar që ka vlera mjaft të mira individuale dhe përshtatet me çdo manovër që mund të përdorim nesër në ndeshje.

A do të ketë afrime në mbrojtje?

Shpresojmë që të ketë ndërhyrje edhe në mbrojtje. Po vëzhgojmë disa lojtarë edhe nga tregu i huaj, edhe nga ai shqiptar, që ofron shumë pak në cilësi, në repartin e mbrojtjes. Jemi fokusuar te 2-3 alternativa në tregun e huaj, për të zgjedhur më të mirin, ndoshta jo me ndonjë cilësi të jashtëzakonshme, por për të dubluar rolet, sepse kampionati është i gjatë.

Mendoni se me afrimet e futbollistëve të tjerë do të ketë largime?

Ne do të shikojmë që të afrojmë, në momentin që do të ketë afrime, do të bëjmë të mundur edhe merkaton në dalje, sidomos për ata që kërkohen dhe janë një bonus teknik. Kemi një projekt që të kemi një Partizan kompetitiv. Daljet krijojnë vakum, që në vend të vend të bëjmë mirë, bëjmë keq.

Ndeshja ndaj Tiranës, a mund t’i japë drejtim sezonit?

Unë do të thoja që është ndeshja e radhës, ka vlerën e 3 pikëve, përveç bonusit psikologjik. Nuk ka ndikim në ecurinë e mëtejshme të ekipit. Jemi më të konsoliduar tani. E presim ndeshjen me qetësi, gjithë kontingjentin e kemi në dispozicion, mund të bëjmë ndërhyje edhe më shpejt se ndeshjet e tjera. Formën më të mirë po e kalojmë në këtë periudhë.

Po kundërshtarin si e shikoni?

Derbi është ndeshja më e rëndësishme e kampionatit. Sido që të jetë niveli ekipeve, derbet kanë qenë të paparashikueshme. Ky derb i gjen ekipet me një diferencë 3 pikë. Pothuajse janë aty-aty. Mendojmë në nivel paragjykimi, që nesër, padiskutim që ekipi do të jetë i motivuar, ashtu siç do të jetë dhe kundërshtari. Janë të 3 rezultatet në lojë, shpresojmë që fitorja të jetë e jona”, u shpreh Daja.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb