NGA UVIL ZAJMI
Ishte një pauzë e shkurtër gjatë një seminari të trajnerëve që po zhvillohet këto ditë në FSHF, dhe me Sulejman Starovën po diskutonim rreth ngjarjeve sportive të fundvitit, ndër të cilat ishte edhe vdekja e Pelesë. Po flisnim për historinë e tij, kujtimet tona, edhe për faktin se për ne shqiptarët sa i afërt ishte në informacionin, pasionin, vlerësimin që kishim për të, aq edhe i largët në kontaktet me të. Për të gjithë brezat. Kur papritur, në një çast, Starova, më thotë: “Unë e kam takuar Pelenë”.

Dhe pa e zgjatur më shfaq një fotografi që e mbante në celular e që nuk ma kishte treguar asnjëherë më parë dhe as që më kishte folur për këtë detaj: “Ai së bashku me Pelenë”. U befasova, ishte unike! “Ndodheshim në Tokio, për të hedhur shortin e grupeve eliminatore për Botërorin e vitit 2002, i cili do të zhvillohej në Korenë e Jugut dhe Japoni. Aty jemi takuar”, më informoi ai.

Starova, sa dhe si e keni njohur Pelenë?
Vetëm nga televizori. Në shtëpi në vitet ‘70 kishim një televizor “Phonola”, që na i kishte sjellë nga Italia burri i hallës. Aty shikonim ndeshjet e kohës. Veçanërisht Botërorin “Meksikë 1970”. Sigurisht nga vogëlia isha rritur me emrin e Pelesë. Fundja, si të gjithë fëmijët e asaj kohe… Kush nuk e njihte yllin brazilian? Të gjithë kërkonin që të imitonin Pelenë. Me emrin, numrin e tij, është e lidhur edhe ajo edukatë futbollistike në ato fillime tonat.

Vijmë në Botërorin e 1970-ës, kur Pele ishte triumfues absolut i atij turneu… Çfarë mbani mend?
Po, ishte ai Botëror, pra i Meksikës në vitin 1970, që na afroi më shumë me të, pasi pata mundësinë të shihja në të gjitha ndeshjet, edhe pse ato luheshin në orët e vona të natës. Aty jam njohur më konkretisht me madhështinë, virtuozitetin e tij. Ndeshjet, golat, finalja, titulli kampion… Ishte fantastike.

Ju ishit në Tokio, bashkë me një delegacion sportiv nga Shqipëria?
Ka qenë viti 2000 dhe si përfaqësues të FSHF-së unë dhe disa të tjerë ndodheshim në Tokio. Ishim të pranishëm aty për hedhjen e shortit të grupeve për eliminatoret e Kampionatit Botëror të vitit 2002, i cili do të zhvillohej pas dy vitesh, pra në qershor të 2002-shit në Korenë e Jugut dhe Japoni. Ishim të akomoduar në një hotel gjigant, ku ndodheshin të gjithë përfaqësuesit e federatave, përfshirë drejtues të FIFA-s, të ftuar VIP, ndër ta edhe Pele.

Çfarë kujtoni nga ato ditë dhe nga ajo ngjarje?
Flitej dhe diskutohej shumë për faktin se ai do të ishte kampionati i parë botëror që do të luhej në Azi. I pari që do të zhvillohej në dy shtete të ndryshme si vende organizatore dhe edicioni i fundit që skuadra kampione kualifikohej direkt. I fundit edhe për “Golden Goal”, i fundit, që në ndeshjen hapëse do të luante skuadra titullmbajtëse. Këtë të drejtë, pas atij edicioni do ta kishte vetëm skuadra pritëse. Një Botëror që paraqiste interes edhe në këtë drejtim, përfshirë kuriozitetin për të njohur rivalët në grupe. Sidomos për ne shqiptarët.

Ju kujtohet grupi?
Sigurisht. Kujtoj se shorti na caktoi në grupin e 9-të, një grup shumë i vështirë me Anglinë, Gjermaninë, Greqinë dhe Finlandën. Shpresonim të ishim me Italinë, por goglat përcaktuan që ata të ishin në grupin e tetë.

Dhe takoheni me Pelenë… Si ndodhi?
Ndodheshim në hollin e hotelit, pas hedhjes së shortit dhe në atë lëvizje sa konfuze, por edhe intensive, në pritje për t’u takuar me drejtuesit e skuadrave që kishim në short, papritur u shfaq Pele. Ishte i shoqëruar me zyrtarët e federatës braziliane. E njohëm menjëherë dhe dëshira për ta takuar na shtyu drejt tij. Sapo i folëm ai u tregua shumë i sjellshëm dhe duke qeshur ndaloi e na dha dorën.

Mund të jeni shqiptari i vetëm që e keni takuar dhe keni pasur mundësinë të bëni edhe një foto me një legjendë si Pele?
Jo. Pasi në Tokio nuk kam qenë vetëm unë… Ishin edhe drejtuesit me zyrtarë të tjerë nga FSHF-ja duke nisur me presidentin e saj, Miço Papadhopulli dhe Bejkush Birçe, si anëtar i KE-së. Sigurisht që nuk ndodh shpesh të takosh personalitete si ai. Edhe për ne ishte befasi. Shoqëruar edhe me foton, që ai e pranoi me kënaqësi kur ne i kërkuam të bënim një fotografi së bashku me të. Mbetet një kujtim i rrallë.

Starova Pele 1
Starova Pele 1

Për çfarë folët, mund të na thoni ndonjë detaj?
Sigurisht që qëndrimi me të ishte i shkurtër, por shumë impresionues, që nuk të jepte shumë kohë të mendoje çfarë mundet t’i thoshe. Na takoi si përfaqësues të një shteti, duke komunikuar me shumë dashamirësi. Tregoi interes kur u prezantuam se ishim nga Shqipëria, ku edhe aty Pele ishte shumë i njohur e tejet popullor. Kujtoj se pata emocion, një ndjesi e veçantë të ishe përballë tij. I thjeshtë, i dashur, komunikues. Edhe sot e kam të gjallë atë moment. Ai ka qenë takimi i parë dhe i fundit me legjendën Pele.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: