NGA MARSELA KARAPANCO

ITALI- Pak ditë pasi “News 24” shoqëroi në spitalin e Bergamos Kristin e vogël, i cili vuan nga një sëmundje e rëndë në mëlçi, deputeti më i ri i Kuvendit të Shqipërisë, Eduard Ndocaj, e ka vizituar atë në spital, dhe na sjell lajmin e mirë për gjendjen e stabilizuar shëndetësore të vogëlushit.

Duke folur për “News 24” ai thumbon edhe klasën politike që të mendojë për qytetarët e saj.
Por Ndocaj nga Bergamo sjellë dhe një lajm jo fort të mirë. Qeveria Shqiptare rezulton të jetë borxhlije ndaj këtij spitali, pasi një faturë spitalore e një pacienti shqiptar të kuruar atje, duket se nuk është shlyer ende.

“News 24” pyeti ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj, për këtë çështje, i cili e pranoi si fakt. Sipas Beqajt, një pacient shqiptar është kuruar në muajin shkurt të vitit 2014 pranë spitalit të Bergamos, ku ndodhet i shtruar edhe Kristi Maze, por pagesa nuk është shlyer ende.

Numri një i Shëndetësisë thotë se “Qeveria shqiptare e ka bërë alokimin e fondit për pagesën, por për shkak të një ngërçi procedural me dokumentet, është zvarritur përgjatë këtyre muajve, por që shumë shpejt pritet të përmbyllet”.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb