Liderja e opozitës venezueliane, María Corina Machado, është rikthyer në vend pas më shumë se 10 muajsh në mërgim, në një moment kyç për të ardhmen politike të Venezuelës. Ajo u prit nga mbështetës të shumtë, të cilët e shoqëruan gjatë udhëtimit drejt kryeqytetit, Karakas.
“Jam këtu. Me ju”, shkroi Machado të dielën në rrjetin social X, duke konfirmuar rikthimin e saj në atdhe.
Machado u fotografua duke marrë pjesë në një meshë në shtetin Lara, ku u rrethua nga mbështetës që e përqafonin dhe i shtrëngonin duart. Më pas, ajo u nis drejt Karakasit në një autokolonë të shoqëruar nga simpatizantë, ndërsa shumë të tjerë dolën përgjatë rrugës për ta përshëndetur. Në hyrje të kryeqytetit, ajo u fotografua e buzëqeshur, duke përshëndetur nga çatia e hapur e një makine.
“Natë ribashkimi në Karakasin tonë. Për ribashkimin e çdo familjeje, për lirinë e çdo të burgosuri politik dhe për lirinë e Venezuelës”, shkroi ajo.
Rikthimi i Machado vjen pas disa përpjekjeve të dështuara për t’u kthyer në vend. Sipas një këshilltari të saj, gjatë javëve paraardhëse ajo kishte tentuar shtatë herë të rikthehej, por ishte penguar çdo herë. Raportimet se administrata amerikane kishte ndikuar në vonesat e rikthimit janë mohuar nga Uashingtoni.
Machado u largua nga Venezuela drejt Norvegjisë për të marrë Çmimin Nobel për Paqen, pasi kaloi ditët e fundit në vend duke u fshehur në banesa të sigurta. Ajo fitoi më shumë se 90% të votave në zgjedhjet paraprake të opozitës në vitin 2023, por qeveria e Nicolás Maduros e ndaloi të kandidonte në zgjedhjet presidenciale.
Në zgjedhjet e vitit 2024, në vend të saj garoi aleati Edmundo González. Autoritetet zgjedhore shpallën fitues Maduron, pa publikuar rezultatet e detajuara të votimit. Opozita kundërshtoi rezultatin dhe publikoi kopje të procesverbaleve, duke pretenduar se González kishte fituar.
Në janar, forcat amerikane larguan Maduron nga Venezuela. Ai ndodhet aktualisht në burg në Nju Jork, ku përballet me akuza për drogë, armë dhe torturë, të cilat i ka mohuar.
González e cilësoi rikthimin e Machado-s si një moment të rëndësishëm për vendin, duke deklaruar se zëri sovran i venezuelianëve është rikthyer për të udhëhequr procesin politik. Ai tha gjithashtu se do t’i bashkohet asaj së shpejti për të çuar vendin drejt lirisë.
Nga ana tjetër, presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se nuk kishte dijeni për rikthimin e saj, por shpresonte që ajo të ishte e sigurt. Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, vlerësoi rolin e Uashingtonit në bisedimet për pajtimin politik, të cilat, sipas tij, kanë mundësuar lirimin e qindra të burgosurve politikë dhe kthimin e figurave të opozitës nga mërgimi.
Zëdhënësi i Machado-s, David Smolansky, e cilësoi rikthimin si një hap të rëndësishëm drejt tranzicionit demokratik dhe zhvillimit të zgjedhjeve presidenciale të lira, të drejta dhe të verifikueshme.
Ende nuk është e qartë se cilat do të jenë hapat e ardhshëm të Machado-s. Ajo ka deklaruar më herët se do të kandidonte sërish për presidente nëse do të mbaheshin zgjedhje të reja, ndërsa rikthimi i saj shihet si një zhvillim i rëndësishëm në përpjekjet për ndryshim politik në Venezuelë.
