Deputetja e LSI-së Erisa Xhixho, risjell në vëmendje diskutimin e sotëm të zhvilluar në mbledhjen e përbashkët të Komisionit të Ligjeve dhe Këshillit të Legjislacionit, për nismën e Partisë Socialiste për ndryshimin e Kushtetutës.

Xhixho ka publikuar në ‘Facebook’ fjalën e saj gjatë mbledhjes, ndërsa thekson edhe njëherë se ndryshimet në Kushtetutë janë bërë një praktikë rutinë dhe se sipas saj dëshmojnë mungesë serioziteti dhe paaftësi të klasës politike.

Statusi:

Në mbledhjen e përbashkët të Komisionit të Ligjeve dhe Këshillit të Legjislacionit :

PREKJA E KUSHTETUTËS MUNGESË SERIOZITETI DHE PAAFTËSI E KLASËS POLITIKE

– Diskutimi im për nismën e PS për ndryshimin e Kushtetutës

Ndryshimet në Kushtetutë janë bërë një praktikë rutinë, gjë që dëshmon mungesë serioziteti dhe paaftësi të klasës politike.

Gjykoj se një analizë e detajuar e ecurisë së reformës do të na ndihmonte të krijonim bindje për domosdoshmerinë e ndryshimit të propozuar.

Ndryshimet në kushtetute nuk mund të na vijnë papritur dhe të vihemi para faktit të kryer.

Nëse ju si maxhorancë keni krijuar një bindje të caktuar për këtë ndryshim, për sa kohë duhen edhe votat e opozitës, duhet të na jepni kohën e nevojshme që edhe ne të krijojmë bindjen tonë.

Të mësuar me “fake opozitën”, me të cilën ju të maxhoranncës i bëtë ndryshimet e Kushtetutës në pranverën para zgjedhjeve te 25 prillit, duhet të kuptoni se realiteti politik ka ndryshuar.

Ndryshimet në kushtetutë kanë nevojë për më shumë transparencë, kanë nevojë për më shumë sinqeritet, për frymë bashkëpunimi.

Padyshim edhe për praninë e mendimit të ekspertëve tanë më të mirë, e madje mendimi i konstitucionalistëve duhet të prevalojë në këtë proces.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb