Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta deklaroi sot nga Kombinati se ndryshimet në radhët e Policisë së Shtetit në rang drejtorësh, por qoftë edhe zëvendësimi i ministrave të Brendshëm, nuk do të sjellin një zgjidhje të situatës së krijuar me krimin e organizuar.

Kjo pasi, për Metën mungon vullneti politik nga ana e kryeministrit Edi Rama, të cilin e cilësoi të “inamoruar me bandat e krimit dhe të fortët”.

FJALA E METËS:

Besoj se është vullneti politik ai që do zgjidhë çështjen e forcimit të ligjit, të rendit publik dhe luftës kundër krimit të organizuar. Ndërrimet e drejtorëve të policisë dhe ministrave të brendshëm me Edi Ramën kryeministër janë të kota. Sepse mungon vullneti politik, sepse kemi një kryeministër të inamoruar me të fortët, me banditët, me kanabisin, me drogën dhe trafiqet ndaj kemi situatën ku kriminaliteti është më i larti në rajon. Ky është problemi pse bandat shqiptare janë problem për vendet europiane, sepse ato kanë një mbështetje logjistike këtu.

Kjo është arsyeja pse shumica e njerëzve që duan të blejnë një apartament në Tiranë, e kanë shumë të vështirë, se paraja që derdhet nga krimi i organizuar është një helm për zhvillimin ekonomisë. Falimentim për konkurrencën dhe sipërmarrjen e ndershme. Kapje e plotë e shtetit dhe institucioneve. Këto të gjitha na ftojnë për t’u bashkuar, në mënyrë që t’i japim fund kësaj qeverisje dhe t’ia heqim çdo shqiptari zgjedhën e brutaliteti dhe korrupsionit nga ana e Edi Ramës.

T’i japim mundësi të gjithëve të ecin përpara në rrugën e prosperitetit dhe shteti të përgjegjshëm që kujdeset për qytetarët e tij. Çdo familje këtu e ndjen se çdo të thotë largimi i familjeve nga shtëpia. Ndaj le të punojmë të gjithë së bashku me Partinë e Lirisë, me të gjithë opozitarët e vërtetë për t’ia kthyer Shqipërinë, shqiptarëve, larg kësaj fryme shtypjeje dhe dhunimi që u bëhet sot nga një klikë që ka uzurpuar pushtetin në mënyrë kriminale.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb