Duke u ndalur te ndryshimet e fundit në qeveri dhe nëse ato kanarrë miratimin nga SHBA, ambasadorja Yuri Kim tha në emisionin “Real Story” se Shqipëria është një vend sovran dhe njerëzit kanë fantazi e teori konspurative, kur mendojnë se SHBA është përgjegjëse për gjithçka.

Sipas kryediplomates amerikane, “udhëheqësit e Shqipërisë dhe populli shqiptar janë përgjegjës për Shqipërinë. Nuk është përgjegjësia e askujt tjetër”.

Pjesë nga intervista:
Sokol Balla: Epo, kishit punë për të ndihmuar me krijimin por s’keni punë me rezultatet? Mendoj duhet të merrni ca merita edhe për këtë, por gjithsesi, bëj shaka. Para disa javësh kisha Elisa Spiropalin këtu duke komentuar ndryshimet në kabinet.
Ambasadorja Kim: Po.

Sokol Balla: U komentua shumë sepse në fakt reaguat shumë shpejt. Në çdo ndryshim të shpallur nga KM, dukej sikur ju jepnit ‘ok’ menjëherë. A keni ndikim edhe te kjo? Dua të them, kemi arritur në atë pikë sa edhe kur bëjmë ndryshime në kabinet, në fund është SHBA që e miraton?
Ambasadorja Kim: Sokol, Shqipëria është një vend sovran. Është një vend sovran. Mendoj se njerëzit kanë ca nocione, ca teori konspirative, ca fantazi se njëfarësoj, SHBA është përgjegjëse për gjithçka.

Sokol Balla: Në fakt, e urojmë këtë.
Ambasadorja Kim: Mendoj se në fund, udhëheqësit e Shqipërisë dhe populli shqiptar janë përgjegjës për Shqipërinë. Nuk është përgjegjësia e askujt tjetër. Për pyetjen specifike që bëtë, siç i shkrova edhe Elisës, është thjesht fakti që shkruaj shpejt prandaj reagova aq shpejt.

Sokol Balla: Por ishte mbresëlënëse që ish-Sekretari i Shtetit uroi menjëherë ministren e jashtme të sapoemëruar të Shqipërisë. Ishte e paprecedent, Znj. Olta Xhaçka.
Ambasadorja Kim: Mendoj që ne e njohim faktin që ajo punoi shumë mirë si Ministre e Mbrojtjes dhe e kreu punën e saj vërtet në një mënyrë që forcoi marrëdhënien midis SHBA dhe Shqipërisë dhe mendoj është me vend, në këto rrethana, të shprehësh vlerësim për këtë dhe, sigurisht, si homolog i saj si Ministre e Jashtme, është me vend dhe e mirëpritur që ta përgëzojë për emërimin.

Sokol Balla: Le të flasim për këtë stërvitjen ushtarake që do të ndodhë këtë vit. Cili është mesazhi që Amerika i jep Ballkanit me administratën e re sepse, ju e dini që nga administratat e mëparshme kishte disa lëvizje, marrëveshje të caktuara – e di që nuk doni të flisni për vendet ku nuk përfshiheni, por në përgjithësi – administrata e mëparshme u përfshi në një marrëveshje të drejtpërdrejtë për të zgjidhur një çështje shumë të vështirë – normalizimin e marrëdhënieve midis shqiptarëve dhe serbëve, për Kosovën. E dimë që Z. Biden është një mbështetës i fortë i Kosovës, në veprime jo thjesht me fjalë. Çfarë duhet të presim nga SHBA kur vjen fjala tek roli që ka në Ballkan dhe në veçanti lidhur me shqiptarët?
Ambasadorja Kim: Së pari, ju rekomandoj të lexoni dëshminë e Z. Blinken përpara Komitetit të Marrëdhënieve me Jashtë të Senatit…

Sokol Balla: E pashë …
Ambasadorja Kim: …kur ai pati seancën dëgjimore për t’u bërë Sekretar i Shtetit. Aty, konfirmoi mbështetjen për marrëveshjen që u arrit midis Serbisë dhe Kosovës për të zgjeruar marrëdhëniet ekonomike. Mendoj se kemi për qëllim që tani me administratën Biden të ndërtojmë mbi të. Është një fillim i mirë. Është me rëndësi që t’i bëjmë gjërat saktë në Ballkan. Do të thoja edhe që Matt Palmer, Zv. Ndihmës Sekretar i Shtetit foli për këtë, mendoj dy javë më parë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb