Një prej protestuesve iu drejtua me kritika kryeministrit Edi Rama dhe përfaqësuesve të qeverisë gjatë protestës së ditës së 50-të, duke renditur arsyet që, sipas tij, i kanë nxjerrë qytetarët në shesh.
Ai falënderoi pjesëmarrësit për qëndresën e treguar gjatë protestave dhe u ndal edhe te deklaratat e disa zyrtarëve lidhur me protestën.
“Faleminderit për rezistencën, sot është dita e 50-të. Këtyre duhet t’ua thuash përditë arsyet pse protestojmë”, tha ai.
Në vijim të fjalës së tij, protestuesi kritikoi zëvendëskryeministren Belinda Balluku.
“Është poshtëruese kur sheh Belinda Ballukun që na tregon çfarë duhet të bëjmë dhe pse protestojmë”, u shpreh ai.
Duke folur për situatën e furnizimit me ujë, ai kujtoi një premtim të bërë nga kryeministri Edi Rama në vitin 2017.
“Në Tiranë, në vitin 2026, ende nuk ka ujë. Në vitin 2017 ky tha se ishte hera e fundit që do të diskutonim për ujin, por kanë kaluar vite dhe ne sërish përballemi me të njëjtin problem. A ka fytyrë ky?”, deklaroi protestuesi.
Protesta qytetare kundër qeverisë vijon prej 50 ditësh, ndërsa organizatorët kanë paralajmëruar se mobilizimi do të vazhdojë edhe në ditët në vijim.
