TURQI – Si shumë dëshira të viteve të largët të rinisë, më kishte mbetur merak dhe një udhëtim për në vendlindjen e Peshkopit të shqiptarizmës, njeriut që në çdo lëmë ku bëri udhë, arriti një majë të vetën të paarritshme nga njeri, mërgimtarit të madh e të përjetshëm që, sa herë që e pyesnin për vendin e rrënjëve të veta, thoshte gjithë krenari:”Jam nga Qyteza e Kolonjës”, atdhetarit me mall të pashuar, poetit muzikant, oratorit të pashok, që me ligjërimet e tij bëri për vete dikur Lidhjen e Kombeve, shqipëruesit që krijoi shkollë të vetën për t’u ndjekur sëlargu nga të tjerët, shkrimtarit që solli në shqipen tonë të bukur kryevepra të letërsisë botërore, demokratit që u mundua si ai të sillte në trojet e vuajtura arbërore idetë e ndritura të Harvardit, klerikut që u përpoq tërë jetën e tij të gjatë të mëvetësonte e të shpëtonte ortodoksinë shqiptare nga keqpërdorimet politike grabitqare të faktorëve antishqiptarë, kritikut erudit që zbriti Bethovenin nga retë për të ecur dhe ai me këmbë në tokë si gjithë të vdekshmit, Marathonomakut tonë që “rend kudo duke bërtitur” për të shkundur racën e vet nga përgjumja e  prapambetjes terratuese, gjeniut Fan Stilian Noli.

Daut Gumeni2
Daut Gumeni2

Dhe më në fund m’u bë mbarë ta shihja vendlindjen e Nolit me ndihmën e tre miqve të mi  të mirë, Fatos Klosi, Artan Meçi dhe kameramanit të palodhur Xhemal Reçi. I mësuar aq gjatë me logjikën e çalë të policëve, prapë nuk më shkonte mendja se ai cen gati profesional do na gjymtonte ekipin edhe në kufirin turk! Duke kërkuar qiqra në hell, policët e kufirit turk na e ndaluan aty pjesëtarin më gazmor të ekipit, Fatos Klosin bashkë me makinën dhe na detyruan të shkonim në Ibrik Tepe me taksi e me humor të mbajtur peng nga tekat policore…Arritëm në Ibrik Tepe të lodhur më tepër nga gjymtimi i ekipit se nga rruga, por përsëri u shtrënguam t’i bënim nderimet Nolit tonë edhe për mikun që na mbajti peng policia në kufi.

Daut Gumeni3
Daut Gumeni3

Kameramani ynë xhiroi dhe disa minuta pranë bustit të Nolit, një realizim dinjitoz i skulptorit kolonjar, Andrea Demçe. Vendosëm një tufë të bukur lule nën atë bust, të cilit nuk i mungonte pahu i madhështisë së Nolit edhe pse nuk është shtatore, nderim që miqtë e mi e lanë në duart e mia, si më i vjetri i ekipit. Mbajtëm këmbët pak edhe tek monumenti i thjeshtë i Ibrikut në qendër të kodrës, që mbante fshatin në mes të një fushe të gjerë e të begatë dhe e lamë prapa Ibrik Tepenë e Nolit për t’u kthyer në heshtje të beheshim përsëri bashkë me mikun që na mbajtën peng në kufi. U gëzuam që Klosi e kishte hedhur prapa mërzinë si një loshnik të vjetër dhe na priti me buzë në gaz. Se nuk mund të na ndodhte ndryshe pas një vizite në vendlindjen e Nolit, i cili qeshte dhe me sëmundjen e rëndë që po i shkurtonte ditët në Majami atë mars të vitit të largët 1965…

Daut Gumeni4
Daut Gumeni4

6 Janari është dita e Ringjalljes për kristianët .

Më 6 janar 1882, këtu në Ibriktepe të Turqisë, ka lindur njeriu i madh, gjeniu më i madh i racës shqiptare, Fan Noli.

Ka qenë një lajm i bukur  për të  ëmën e Nolit. Disa ditë para se të lindëte, u ngrit e lemerisur se kishte parë  një ënderr  të tmerrshme, të cilën ia tregoi të vjehrrës, gjyshes së Nolit.

Daut Gumeni5
Daut Gumeni5

“Nënë kam parë një ëndërr  që më ka ikur zemra”.

“Ç’farë ëndrre ke parë të keqen nënia” – e pyet  vjehrra

“Pashë ëndërr sikur linda një dragua”.

Endrrat nuk janë të gjitha për tu hedhur poshtë.  Dhe lindi ky dragua, njeriu më i madh  shqiptarizmës, themeli i bukurisë  së racës time.

Eshtë kënaqsi të jem këtu.

Noli kishte zakon  të thoshte  “ …kur unë dua të bëj një gjë të vështirë, mendoj se çdo të bënte Skënderbeu në këto kushte. Çdo të bënte Skenderbeu në kondita të tilla të vështira?”

(Sepse Skenderbeu për të ishte njeriu jo vetëm i shpatës, por rilindasi i madh, diplomati i madh, burrë shteti i madh , me përmasa të tilla që i dha emër gadishullit të Ballkanit, pa dhënë urdhër ai t’i vinin emrin e tij, por gadishulli vet  mori emrin e tij.)

Daut Gumeni6
Daut Gumeni6

…dhe Noli thoshte se Skenderbeu do të bënte këtë…

Sa herë më dhemb koka  dhe më zë frika se më le zemra, them çdo të bënte  peshkopi i madh  në kushte të tilla? Dhe nuk kam dalë keq.

Ai thonte vetem një gjë “ Mos u dorëzo sa të jesh gjallë. Vdis më këmbë”.

Ai  ka bërë shaka edhe kur mjekët në Florida i thonin se i kishte ditët e numëruara  nga sëmundja e rëndë e kancerit. Bënte shaka  edhe me kancerin, apo si i thonë bukur në malet tona “Mora “, sepse  të merr ajo e shkretë.

Në fund të fundit  të gjithë do të vdesim  dhe ai vdiq si deshi vet, si më i madhi i racës tonë.

Daut Gumeni7
Daut Gumeni7

Fjalët e mia për të, janë  të varfëra. Eshtë gëzim i madh që jam sot këtu. Realizova një amanet. Eshtë një merak jete dhe tani kam një merak më pak.

Nolin  e kam gjithmonë udhëzuesin  tim më të mirë. Më kanë akuzuar  në të mesmen  si  fanolist. Kujtonin se  më fyenin, por mua më bënin nder. Më vinte mirë që isha fanolist. Ai në çdo fushë që shkeli arriti majat. Të kesh Nolin udhëzues  është jo vetëm nder i madh, por ndihmë e madhe .

Atë ditë që do të më thonë  që je nxënës i mirë  i Nolit, iki  nga kjo botë i lumtur.

Daut Gumeni8
Daut Gumeni8

Dua të kujtoj fragmentet e shtrigave të Makbethit që janë një majë e ndritur e gjuhës shqipe. Dhe kur  mendoj se kush i ka shkruar ato në shqip, unë nuk e di se si do të qëndronte  Shekspiri përball tij, të paktën në ato  momente që mua më dhemb koka kur dëgjoj  bukurinë e gjuhës shqipe në penën e Nolit. – Daut Gumeni –

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb