Gjashtë pikë diferencë me vendin e dytë duken shumë, janë shumë për trajnerin Colella, që nxori Partizanin e tij nga gara, por Shehi nuk e bën gjumin i qetë.

Tekniku bardheblu është i vetëdijshëm se sfida përballë Vllaznisë, është ndeshja më delikate në këtë fazë të tretë, një ndeshje që nuk dëshiron të humbas, për të mos ndezur edhe një herë shpresat e rivalëve. Vllaznia duket një tabu për bardheblutë këtë sezon, nuk e kanë mposhtur asnjë herë, por Loro Boriçi i sjell fat.

Duke lënë llogaritë më një anë, lajmi i mirë është rikthimi i Visar Bekaj. Pas goditjes që mori në kokë, Bekaj u la pushim, por së fundmi është rikthyer të stërvitet me pjesën tjetër të grupit. Mungesë e madhe është ajo e Kristal Abazaj, sulmuesi pritet të mungojë më gjatë se sa parashikohej në fillim.

Mungesë e sigurt është edhe ajo e Albano Aleksit, me mesfushorin që ka plotësuar numrin e kartonëve. Nuk janë në kushte perfekte as dy titullarët e tij, Florent Hasani dhe Bruno Lulaj, të dy kanë shfaqur probleme në stërvitje, por prezenca e tyre nuk vihet në dyshim, të paktën jo për momentin.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb