BURREL- Autori është konfliktuar me punonjësit e Bashkisë së Matit, më pas është larguar dhe është kthyer me automatik duke qëlluar mbi ta. Kjo është fabula e sulmit me armë që ndodhur sot në fshatin Shelli të Matit, sipas policisë.


Rreth orës 14:00, Policia e Komisariatit Mat u informua se në fshatin Shëlli, njësia administrative Macukull janë dëgjuar të shtëna arme.

Menjëherë shërbime të shumta policore kanë shkuar në vendin e ngjarjes.
Paraprakisht dyshohet se shtetasi Kujtim Koxha, 51 vjeç, pas një konflikti për motive të dobëta ka qëlluar me armë zjarri drejt disa personave, në një lokal.

Për pasojë kane humbur jetën shtetasit Mentor Hoxha, Erzen Alia dhe Hamit Buçi si dhe ka mbetur  i plagosur  Astrit Hani.

Nga veprimet paraprake rezulton se këta persona po punonin për hapjen e një rruge në këtë fshat.

Dyshohet se autori është konfliktuar më parë me punonjësit e Bashkisë dhe më pas është larguar e ka marrë armën automatik dhe ka qelluar në drejtim të tyre, në një lokal.

Në vendngjarje është sekuestruar arma e zjarrit. Është ngritur një grup i posaçëm hetimi me ekspert të Policisë nga Drejtoria Vendore e Policisë Dibër, të cilët po hetojnë këtë ngjarje.

Grupi hetimor gjithashtu ndodhet në vendin e ngjarjes si dhe po sekuestron çdo provë që lidhet me këtë ngjarje.

(m.k/BalkanWeb)