NGA MONIKA SHOSHORI STAFA

Ishin të shumtë ata të burgosur që punonin deri në çastin e fundit të jetës. Me dhjetëra lëshoheshin në tokë nga uria e tejskajshme Qindrave apo mijërave nuk iu gjetën kurrë eshtrat, sepse doktrina naziste “Final Solution” e hartuar me një strategji të mirëpërcaktuar administrimi parashihte ndër shumë pika të tjera edhe shfarosjen e trupave të dobët e të sëmurë, ndër ta edhe të qindra të tjerëve që gjenin vdekjen gjatë punës. Faza e fundit pasi vdisnin ishte djegia e kufomave në krematoriume. Sigurisht, ajo ishte një prej doktrinave më të errëta që njerëzimi kish njohur ndonjëherë kundrejt shfarosjes së të ngjashmit të vet.

Ndaj të gjitha metodat e vdekjes në Mathausen, e jo vetëm, që sot ende përbëjnë çështje debati kontroversal, reflektojnë cinizmin e paskrupullt se si njeriu arriti të shpikë shfarosjen e farës së tij. Austria shënoi në majin e këtij viti 71- vjetorin e çlirimit të kampit të Mathausenit nën fjalime dinjitarësh të lartë austriakë dhe marshe funebre me delegacione nga të gjitha vendet europiane e përtej. Më shumë se 200 mijë njerëz morën pjesë. Nga kasta jonë qeverisëse asnjë prej tyre, historianë jo e jo, megjithëse ne kishim heronjtë tanë që iu bashkuan bindjeve antifashiste të forcave aleate. Kishte plot histori personale të të mbijetuarve. Emocionuese tregimet e tyre, por asnjë nga Shqipëria. Në Mathausen gjetën vdekjen 133 shqiptarë nga trevat shqiptare, në mesin e tyre edhe Kozma Nushi, “Hero i Popullit”.

HISTORIKU
Një nga kampet e përqendrimit nazist nga më jetëgjatët në Rajhun e Hitlerit, Mathausen mori dërgesën e parë të vagonëve me njerëz në vitin 1938. Deri në kohën kur edhe 50 satelitë të tjerë si ai, u çliruan nga trupat amerikane në maj të vitit 1945, më shumë se 100.000 njerëz gjetën vdekjen aty, shumica në kampin kryesor. Ai gjendet në Austrinë e Epërme pranë qytetit Linz dhe ishte një vend ku punohej për të thyer gurët. U përcaktua si një kamp që i takonte kategorisë së tretë dhe ishte lloji i vetëm i kësaj kategorie në hapësirat e Rajhut ku njerëzit vdisnin nga puna e rëndë. Gratë e sjella aty përbënin 2,5 për qind të numrit në total të të burgosurve. Më së shumti u detyruan të prostituonin, ndërsa ato shtatzëna u përdorën në eksperimente shkencore. Kishte fëmijë e të rinj, jeta e të cilëve nuk zgjati shumë. Mesatarja e tyre shkonte nga 6 deri në 15 muaj. Qindra e mijëra në kompleksin e Mathausenit, si hebrenjtë, antifashistë në bindje, komunistët e një bote të re, kundërshtarët e tjerë politikë të regjimit nazist, arritën të ndërtonin deri aeroplanë lufte dhe pajisje të tjera ushtarake nëpër tunelet e thella që ata kishin ngritur po vetë.

Shumë austriakë e mohonin se kishin dijeni mbi këto kampe deri pas lufte. U deshën dekada të tëra t’i bëhej me dije opinionit publik në Austri se ai vend, nuk ishte një viktimë e regjimit të Hitlerit, por një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të Gjermanisë naziste pas aneksimit të saj, në vitin 1938. Sot liderët botërorë mblidhen ende në të tilla ceremoni, edhe pse jehona e largët e doktrinës shfarosëse të Hitlerit, po zbehet për shkak edhe të ikjes nga kjo botë të të mbijetuarve. Duke përkujtuar një nga kapitujt më të errët të historisë së vendeve si Gjermania, Austria dhe Hungaria, të tilla ceremoni vlejnë për të mos harruar dhe për të shenjtëruar ca vlera si toleranca, demokracia dhe solidariteti. Mathausen ishte një nga kampet e fundit të përqendrimit që u çliruan nga aleatët amerikanë, më 5 maj të vitit 1945. Ajo është sot ende një ditë që shumë nga të mbijetuarit e paktë që kanë mbetur e kujtojnë me gëzim. “Unë jam gjallë”, tha një prej tyre me lot ndër sy, 92- vjeçari, i cili në rrëfimin e tij emocionues atë ditë kujtonte shokët që kish humbur në krematoriume. “Dhe ky është një fat që duhet t’i gëzohem”, shtonte më tej, teksa dridhej nën peshën e emocionit. “Shumë të tjerë, me qindra nuk arritën dot, dhe kjo gjë më bën të ndihem sot keq”, e përfundoi ai tregimin e tij.

HISTORI SHQIPTARE
Kozma Nushi lindi në Vuno të Himarës. Por kryesisht jetoi e mësoi në Francë, në qendrën e kulturës e të qytetërimit europian. Bir i një prindi me shumë ekzigjenca për jetën, ai u rrit me ambicien e një qytetari perëndimor dhe i vetëdijshëm për të drejtat e veta. Babai i tij, Sokrat Nushi, një ndër dhjetëra të rinj nga Vunoi e krahina përreth, e kish jetuar emigracionin fillimisht në Argjentinë me një eksperiencë pune e jete solide. Më pas në Francë, ku si një himarjot i qartë në planet e tij të së ardhmes kish vendosur të jetonte shumë më mirë se gjindja e vet. Me shumë sukses arriti të blejë një kafene luksoze në qendër të “Saint Etien”, ku punësoi pa droje të birin, Kozmain, me idenë që t’i linte pas trashëgiminë e biznesit që ai e kish me qejf. Ashtu si në çdo rast, çdo prind do ta mendonte për birin e tij. Por djaloshi në vorbullën e re politike që po rendte në Europë, nuk mund t’u shpëtonte idealeve të revolucionit francez te të cilat po frymëzohej dita-ditës. Ai po dashuronte një trung tjetër kulture, atë të letrave, tej asaj që i ushqente i ati.

Kozma Nushi do të mbetej një djalë librash. Ndaj babai vendosi t’i shkojë pas pasionit të të riut. Ky vizion për të shkuar drejt talentit që shfaqte i biri dhe kjo gjetje praktike e tij për të parë më larg se librat që i biri lexonte teksa vonohej të merrte porosinë nga klientët, shkonte deri në Vunoin e largët. Fshatit të tij i duheshin arsimtarë për të rritur numrin e nxënësve të shkolluar. Më shumë se kurrë, një vendi në një shekull të ri i duheshin ligjëruesit e tij. Fundja me çfarë do të mburrej familja?! I ati e dërgoi Kozma Nushin në liceun e Nicës, në një nga institutet më të mira arsimore të vendit. Pati një vëmendje analitike mbi librat e një bote të re dhe i përpiu ato me etje të madhe. Mësoi shumë mbi historinë e revolucionit francez, Napoleonin, si dhe u njoh me krijimtarinë e shumë poetëve dhe shkrimtarëve të mëdhenj francezë. Por si studentja tjetër shqiptare në Itali, Musine Kokalari, ndoqi edhe ai të njëjtin pasion. Të mbante shënim çdo këngë dhe varg që rridhte nga Vunoi i tij.

Ndërsa Musineja nga Italia mbante shënim të gjitha këngët dhe ligjërimet gjirokastrite, Kozmai ishte vetëm 14 vjeç, kur filloi të mbushte fletore të tëra me këngë prej krijimtarisë së gurrës popullore të zonës së tij. Për aktivitetin e tij në Francë ne dimë sot shumë pak. Si duket, lufta e tij në Shqipëri ka qenë një pjesë dominante e organizimeve politike. Megjithatë shtëpia e tij në Desinë të Francës do të mbetej bujtina e dhjetëra apo qindra shqiptarëve. Ajo shërbeu si një klub për politikanët e mërguar dhe intelektualët e rinj shqiptarë të cilët më vonë u bënë drejtues të lartë të luftës antifashiste. Pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia, vendosin si familje të kthehen në Shqipëri. Të rinjtë e Nushjave më herët, pjesa tjetër e saj më vonë, duke lënë pas në Francë, shtëpitë, kafenetë dhe prona të tjera biznesi që kish ngritur i ati dhe e gjithë familja për një çerek shekulli.

Kjo për shkak të ideve novatore të ndikuara nga revolucioni francez dhe ideologjia e re që po përfshinte Europën, ajo antifashiste. Djemtë mendonin se kishte ardhur koha që ndër gërmadhat e një bote që po lihej pas kudo në Europën e civilizuar, edhe në Shqipëri të ngrihej një botë e re, bota e njeriut të ri nën frymëzimin marksist, ku bindjet e majta do të përfshinin kryesisht klasat e shtresës së mesme europiane. Pas kthimit në Shqipëri, pas vdekjes së babait, Sokratit, Kozma Nushi së bashku me familjen vendoset diku aty pranë urës së dytë të Lanës. Nëse në Francë shtëpia ishte një klub takimi mes intelektualëve dhe patriotëve të mërguar, tani ajo e reja në Tiranë u shndërrua në një komandë lufte, ku ilegalë e partizanë nga e gjithë Shqipëria, gjenin strehë, ushqim dhe këshillim. Shtëpia shërbeu si një bazë e rëndësishme ku qëndruan shkrimtarë dhe gazetarë të shtypit ilegal dhe plot djem nga Vunoi ndër shumë të tjerë. Kozma Nushi do të ishte një nga eksponentët kryesorë politikë të lëvizjesorganizatorët politikë po ashtu të themelimit të PKSH-së, së bashku me një nga miqtë e tij, Qemal Stafën.

Me një kulturë komunikimi perëndimore, vigjilent dhe ithtar i novatorizmave të lëvizjes, më saktë një mendje e mençur e saj, ai kishte një personalitet që spikaste besim e maturi. Kujtimet e të afërmve të tij tregojnë se me të këshillohej më së shumti edhe Zaho Koka, një nga “kokëshkretët” e Vunoit, heroit që u bë më shumë i njohur për shkak të një historie të rrejshme dashurie me Ramize Gjebrenë sesa për aktin luftarak me të cilin ai gjeti vdekjen. Ai e takonte shpesh Kozmain dhe këshillohej me të. Do të mbahet mend përgjigjja që ai i dha bashkëvendasit të vet kur Zaho e pyeti nëse duhej apo jo t’u shkonte pas italianëve si ushtarë, kur fashizmi erdhi në fuqi. “Bëni si të doni, por ne himarjotët nuk kemi shkuar ushtarë as në kohën e Turqisë e jo më tani të luftojmë për Italinë. Nëse duam të vritemi, le të vritemi për Shqipërinë”, kish përfunduar ai këshillimin e tij. Që pas këtij takimi, heroi që u mbulua nga legjenda e dashurisë me një nga vajzat më të bukura dhe intelektuale të kohës, Zaho Koka u ngjit malit si partizan. Ishte fillimi i vitit 1942. Kulturalisht antifashist Kozma Nushi, punonte me njerëzit jo për t’i kthyer ata në komunistë, por për t’i ndriçuar drejt një botëkuptimi të ri mbi të ardhmen që i priste. Ai ishte një organizator i mprehtë dhe synimi i tij ishte të krijonte një front të përbashkët antifashist të njëjtë me modelin që kish studiuar me vëmendje në Francë.

Një tjetër ngjarje e trishtueshme dhe mjaft e rëndë që shënoi reflektim për të ishte vrasja e Qemal Stafës, shoku i tij i ngushtë, me të cilin kishin hartuar traktet e para kundër fashizmit ende pa u themeluar Partia Komuniste Shqiptare. Aq e rëndë ishte humbja e një të riu revolucionar si Qemali, sa dhimbshëm Kozma Nushi thirri një nga bashkëfshatarët e tij t’i këndonte vargjet që ai ia thuri vetë Qemalit gjithë emocion. Ndërsa tekstin e kemi mësuar prej historiografisë komuniste se ka ardhur nga populli, sot pas më shumë se 70 vjetësh njohëm me habi autorin e këtyre vargjeve elegjiake, Kozma Nushin. Kënga aq shumë e njohur për brezat, një elegji, mbeti e paharruar sot për të gjithë ata që kujtojnë me nder dhe krenari faqen e luftës antifashiste shqiptare. “…Brenda në Tiranë/ afër një spitali,/ u vra Qemal Stafa,/ në një ditë maji”. Pas kapitullimit të Italisë fashiste ndërroi dhe faqja e historisë së pushtuesit për Shqipërinë. Aleati më i egër i forcave të Boshtit të së keqes, Gjermania naziste kërkoi sa u vendos zyrtarisht në administratë pas italianëve, listat me hebrenj dhe emrat e eksponentëve më të rrezikshëm komunistë.

Pas shumë përpjekjesh në nëntor 1943, Kozma Nushi arrestohet së bashku me shokun e tij Telat Noga në Durrës dhe dërgohet më pas në Tiranë. Në dhjetor të vitit 1943 e nisin me një kontingjent të tjerë eksponentësh, në Zemun të Beogradit. Ndërsa në 16 shtator të vitit 1944 dërgohet prej nazistëve me një prej trenave famëkeq drejt Mathausenit, në sektorin “Gusen”. Nëse u referohemi dokumenteve të sakta gjermane pas katër muajsh, Kozmai nga Vunoi i Shqipërisë (me këtë përcaktim firmoste ai në kamp), pasi iu nënshtrua 82 shkallëve të torturës me numër matrikuli 100210, më 23 janar 1945 duket se ka gjetur vdekjen prej lodhjes së papërshkruar, ku dhe më pas e kanë djegur në krematorin e kampit. Pas lufte i akordohet titulli “Hero i Popullit” dhe pas 41 vitesh i vendoset një bust në qytetin e Durrësit. Sot ky monument përkujtimor nuk ekziston më, si çdo shenjë memuaristike që i përkiste kohës së komunizmit e që duhej shkatërruar, megjithëse ai ishte një nga “të birtë e shekullit të ri”.

SHQIPTARËT DHE HOLOKAUSTI
Thonë se i kemi harruar e nuk shkruajmë për ta aq sa do duhej të kishim dashur dhe aq sa do duhej të ishte e drejtë në të vërtetë. Arsyet mund të jenë subjektive. Dhe me të drejtë, pas një kërkimi të vogël në biblioteka, shumë pak artikuj gjeta për historinë e tyre. Ca emra në një listë, një përshkrim Një nga kampet e përqendrimit nazist nga më jetëgjatët në Rajhun e Hitlerit, Mathausen mori dërgesën e parë të vagonëve me njerëz në vitin 1938. Pas kapitullimit të Italisë fashiste ndërroi dhe faqja e historisë së pushtuesit për Shqipërinë. Aleati më i egër i forcave të Boshtit të së keqes, Gjermania naziste kërkoi sa u vendos zyrtarisht në administratë pas italianëve, listat me hebrenj dhe emrat e eksponentëve më të rrezikshëm komunistë.

Rrotull kampit në Mathausen dhe dy- tri histori personale shqiptarësh. Dhe nuk ishin pak. Plot 133 të tillë të shpërndarë nëpër kampet e vdekjes e ku rrethi i kujtesës sa vjen e ngushtohet nëse ne nuk do të vazhdojmë t’i tregojmë këto histori sërish e sërish. Nëse sot rrëfime të tilla përkujtohen në formën e një memorieje kolektive europiane, ato meritojnë të rishkruhen e të ritregohen nga njëri brez në tjetrin, për të mos e fjetur mendjen se diktatorët mund të zhduken me finalizimin e luftërave apo me rënien e regjimeve diktatoriale. Sepse të tjerë lindin pas tyre. Ndaj kujtesa për këta heronj mbetet një paralajmërim ulëritës për njerëzimin se kauza për të luftuar mbetet ajo e njëjta; të luftosh për lirinë mbetesh gjithmonë një martir i një bote të re.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: