Anëtari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Myslim Murrizi, ka shprehur kritika të forta ndaj situatës së brendshme në selinë blu dhe procesit të zgjedhjes së kryetarit të partisë.

I ftuar në emisionin “Kjo Javë” në News24, Murrizi u ndal te përplasjet e fundit dhe gara për kreun e partisë, ku aktualisht kandidon vetëm Sali Berisha, pas mospranimit të kandidaturave të tjera.

Në deklaratën e tij, Murrizi nuk kurseu gjuhën e ashpër ndaj drejtuesve dhe figurave brenda PD, duke thënë se krah Berishës sot ndodhen “politikanë që i quaj gomerë me avull”, të cilët sipas tij janë “debilë profesionalë politikë” dhe “delirantë që kanë arritur karrierë pa vota të qytetarëve”.

“Përjashtim në statutin e PD nuk ka. Edhe vetëpërjashtimi nuk është. Koston e marrin të gjithë demokratët nga pak,” u shpreh Murrizi, duke shtuar se ka tentuar të reagojë fort brenda PD.

Ai kritikoi ashpër edhe kulturën e brendshme të partisë, duke deklaruar se “kurajo dhe frika lindin bashkë me njeriun”, ndërsa akuzoi disa figura për servilizëm dhe karrierizëm, duke përdorur shprehje të forta për mënyrën e funksionimit të brendshëm.

Ai u shpreh gjithashtu se gara e hapur në parti nuk është reale, duke thënë se do të preferonte “më mirë një votëbesim të Berishës se sa kandidatura të sajuara”, ndërsa e cilësoi procesin si “fiktiv”.

Murrizi komentoi edhe përjashtimin e mundshëm të figurave të ndryshme, duke përmendur Ervin Salianjin, për të cilin tha se është “i vetmi kandidat që është penguar pa të drejtë”, ndërsa hodhi dyshime edhe mbi akuzat që janë bërë ndaj tij.

“I vetmi kandidat qe u pengua pa te drejte është Ervin Salianji aty. Salianji ka qene anëtar kryesie deri para pak kohesh. Nuk mendoj se Salianji ka të bëjë me bandat sepse janë informacione që dalin brenda 3 ditësh, jo pas 13 muajsh. Nëse Salianji ka bashkëpunuar me bandat, Berisha nuk duhet t’i shkonte kur ishte ne burg”, u shpreh ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb