Analisti Mentor Kikia, i ftuar në News24, ka komentuar deklaratat me tone sulmuese të kreut të PD, Sali Berisha, lidhur me hapësirën mediatike që i jepet figurave të anatemuara nga lidershipi i kësaj force politike.

Sipas analistit, një nga problemet kryesore qëndron te hapësira e madhe që media i ka dhënë politikës, duke e kthyer çdo zhvillim partiak apo dalje publike të politikanëve në lajm kryesor.

Duke u ndalur te zhvillimet brenda Partisë Demokratike, Kikia theksoi se proceset zgjedhore në këtë parti nuk mund të konsiderohen si zgjedhje të mirëfillta, ndërsa sugjeroi se vetë PD duhet të kishte treguar më pak interes për amplifikimin publik të tyre.

“Zgjedhjet në PD nuk janë zgjedhje, por votime, dhe vetë PD duhet të interesohej që kjo të ishte me qasje sa më të vogël, pa bërë shumë zhurmë në publik”, tha ai.

Megjithatë, ai nënvizoi se media duhet t’u japë hapësirë edhe kandidatëve të tjerë apo aspirantëve brenda partisë, duke theksuar se kjo është pjesë e funksionit të saj informues. Sipas Kikiës, në kushtet kur këta individë janë përjashtuar nga partia, nuk duhet të përbëjnë më shqetësim për lidershipin aktual.

“Tani media duhet t’u japë hapësirë edhe kandidatëve të tjerë në PD. Nuk ka ndonjë problem që kandidatëve apo aspirantëve për kandidatë t’u jepen hapësira. Në kushtet që PD i ka përjashtuar këta persona nuk duhet t’i interesojë më çfarë diskutojnë apo ekspozojnë ata publikisht. Këto raporte prodhojnë edhe konflikt politik që reflektohet në këto marrëdhënie. Nuk ka pse të drejtohet gishti qoftë ndaj rivalit që nuk e lejuan, qoftë ndaj medias që jep hapësirë”, u shpreh Kikia.

Në përfundim, ai theksoi se drejtimi i akuzave ndaj rivalëve apo medias nuk ndihmon në zgjidhjen e situatës, por përkundrazi prodhon më shumë konflikt politik, i cili reflektohet edhe në marrëdhëniet publike.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb