Në provincën nigeriane të Kanos, shitësit e ujit në rrugë me karroca njihen si adresa e vetme për popullatën për të pirë ujë të pastër.

Sipas të dhënave nga Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF), më shumë se 86 për qind e popullsisë prej rreth 206 milionë banorëve në Nigeri nuk kanë qasje në ujë të pijshëm të sigurt.

Shumë njerëz që jetojnë në zonat rurale dhe në qendrat urbane vazhdojnë të përballen me mungesën e ujit për shkak të rritjes së popullsisë dhe problemeve të energjisë elektrike në provincat si Kano.

Popullata kërkon ndërhyrje urgjente nga autoritetet shtetërore për sigurimin e ujit të pijshëm.

Shitësit e ujit në rrugë, të njohur si “mai ruwa” në gjuhën Hausa, po mobilizohen për popullatën e provincës Kano, e cila po përballet me mungesë uji.

Pothuajse në çdo lagje të provincës, qindra shitës të ujit udhëtojnë afërsisht 30 kilometra në ditë, duke shitur ujë nga mëngjesi në mbrëmje me karroca dore.

– Mungesa e ujit ka qenë një sfidë e madhe për dekada

Mamman Fagge, i cili prej 6 vitesh shet ujë me karrocë dore në provincën Kano, tha se mungesa e ujit ka qenë një sfidë e madhe prej dekadash.

Fagge duke shpjeguar se ai niset herët çdo ditë për të shitur ujë tha se “Ne blejmë ujin në bidon dhe udhëtojmë nëpër lagje dhe e shesim atë. Kemi edhe ne një vend ku blejmë ujë dhe ndonjëherë uji është i pakët, kështu që duhet të presësh me minuta në radhë për të mbushur bidonin”.

Ai tha se çmimi i një bidoni uji varion midis 50-100 naira (10-20 cent) në varësi të vendit ku ndodhet dhe tha se ata ua shesin ujin familjeve, tregjeve dhe restoranteve.

Sipas tij, problemi i ujit është një nga problemet më të mëdha në vend. Fagge tha se nuk është i kënaqur me biznesin e shitjes së ujit. “Por, fatkeqësisht shumica e njerëzve po përballen me mungesë uji. Tani është koha që autoritetet ta trajtojnë këtë çështje drejtpërdrejt”, tha ai.

– Impianti ekzistues i trajtimit nuk mund të plotësojë nevojat e popullsisë në rritje

Drejtori i Përgjithshëm i Bordit të Ujit Shtetëror të Kanos, dr. Garba Kofar-Wambai i kërkoi falje popullit për mungesën e ujit në Kano.

Duke theksuar se impiantet e trajtimit në Kano u krijuan dekada më parë për të siguruar ujë për gati 2 milionë njerëz, Kofar-Wambai tha se popullsia tani i kalon 7 milionë, gjë që ka çuar në një rritje të kërkesës për ujë të pijshëm.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb