Një lajm i hidhur vjen nga QSUT-ja, ku mjeku i njohur pediatër në Spitalin Pediatrik të Fëmijëve në Tiranë, Bashkim Nezaj është ndarë nga jeta në mënyrë të parakohshme.

Miqtë dhe kolegët kanë shprehur dhimbjen dhe keqardhjen për ndarjen e mjekut që njihej për qetësinë dhe përkushtimin në shërbim të të vegjëlve.

Sipas njoftimit nga QSUT dhe postimeve të miqve në rrjete sociale, mjeku tropojan humbi jetën si pasojë e një infarkti.

Shuarja e mjekut Nezaj ka tronditur jo vetëm familjen dhe miqtë, por edhe gjithë komunitetin mjekësor, veçanërisht kolegët e tij në QSUT, ku për vite me radhë ai shërbeu me përkushtim të plotë ndaj fëmijëve të sëmurë.

Reagimi i Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”:

“Me dhimbje të thellë morëm lajmin për ndarjen e parakohshme nga jeta të Dr. Bashkim Nezaj. Një profesionist i përkushtuar, një njeri i qetë dhe i dashur, një mjek që ia kushtoi jetën dhe zemrën shërbimit ndaj fëmijëve. Për më shumë se 20 vite, Dr. Bashkimi ka qenë pranë çdo vogëlushi që ka kaluar pragun e Pediatrisë, duke u bërë shembull i humanizmit dhe profesionalizmit të rrallë.

Humbja e tij është një dhimbje e madhe për familjen, kolegët dhe për të gjithë ata që patën fatin ta njihnin e të punonin me të.

Prehu në paqe, doktor Bashkimi. Kontributi yt nuk do të harrohet kurrë”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb