TIRANË

Kreu i PD-së Lulzim Basha është takuar me demokratët e degës 2 në Tiranë, ku deklaroi se ka vetëm një opozitë në Shqipëri dhe ajo është PD. Basha theksoi se Berisha-Rama-Meta janë bashkë dhe të tre kanë të njëjtin hall, duan ta mbajnë vendin peng.

Kreu i PD tha se “përballja është e qartë, në Shqipëri ka vetëm një opozitë, kundër qeverisë më të korruptuar që ka njohur vendi në 30 vite, qeverisë më të korruptuar të Ballkanit, siç e nxori prapë raporti i fundit ndërkombëtar i Transparency Internacional”.

Sipas tij, ka vetëm një opozitë garante të interesit publik që përballet me të gjitha format dhe mënyrat me të keqen. Dhe gjithë të tjerët, tha Basha janë bërë bashkë me Edi Ramën.

“Hiqni çdo iluzion. Janë bashkë, Edi Rama, Sali Berisha, Ilir Meta, janë të tre bashkë, janë bashkë prej hallit që i lidh bashkë, dhe janë bashkë për të shkatërruar Partinë Demokratike. Mos keni asnjë iluzion. Sigurisht që nuk kanë për t’ia arritur, përkundrazi, ajo që shoh dhe prek me sytë e mi, pa pasur nevojë për ndërmjetësimin e ekranit, është një vendosmëri në rritje e demokratëve, një vetëdije në rritje të demokratëve. Kjo parti, quhet Partia Demokratike, ka kaluar edhe periudha të vështira, por përbëhet nga demokratë”, deklaroi Basha.

MESAZHI I BASHËS
Së pari, dua t’iu falënderoj nga zemra për këtë pritje kaq të ngrohtë në gjirin e degës më të madhe të shtrirë në territorin më të gjerë, në zemër të kryeqytetit. Një degë që mbërthen në këtë territor të gjitha shtresat dhe grupet shoqërore të qytetit më të madh të Shqipërisë, të kryeqytetit, të zemrës, jo vetëm të Shqipërisë, por Kombit shqiptar, që është Tirana.

Të Zgjedhim të Ardhmen. Ky është një vendim shumë i madh i cili erdhi në kapërcyell të 30-vjeçarit të partisë tonë, një 30-vjeçari të mbushur me sfida të jashtëzakonshme. Sfida të cilat na kanë përballur me zgjedhje jo të lehta, na kanë rezervuar shpeshherë fate të hidhura, na kanë vendosur përpara vendimeve të vështira, por sa herë kemi ditur të zgjedhim interesat e Shqipërisë të parat, aq herë Shqipëria është përgjigjur duke na e kthyer atë me besim dhe me votë e duke na besuar drejtimin. Sigurisht e sotmja nuk një ditë përkujtimore dhe nuk është një ditë për t’u marrë gjatë me këto 30 vite sepse ato kanë brenda dritë, dritë që nuk mund ta sillte askush tjetër përveç demokratëve. Në çdo aspekt, që në rrëzimin e diktaturës edhe nga anëtarët e kësaj dege shumë prej familjarëve të të cilëve e kanë pësuar në qeli, me tortura deri kanë humbur anëtarë të familjeve të tyre në përballje me diktaturën dhe me reminishencat e diktaturës e deri tek zhvillimi ekonomik, anëtarësimi në NATO, heqja e vizave.

Por kemi padiskutim edhe gabimet tona, një pjesë të përgjegjësive për ato premtime të pambajtura si fjala bie në raport me dy shtresa shumë të rëndësishme që nuk kanë ku të përplasen tjetër, nuk kanë shtëpi tjetër, janë pa shtëpi në qoftë se Partia Demokratike nuk është shtëpia dhe çatia e tyre, të përndjekurit dhe pronarët. Apo në raport edhe me çështje të tjera që i kemi marrë përsipër e nuk i kemi çuar në fund apo për të cilat kemi marrë kosto të madhe para qytetarëve, një pjesë e përgjegjësive dhe përgjegjësve qëndronin në radhët tona, jo vetëm në radhët tona se ne nuk i kemi pasur problem t’i kemi në radhët tona për sa kohë tregonin pendesë dhe për sa kohë që partia të bëhej mburojë para ligjit për ta. Në zonat informale ku na thoshin “ku e keni legalizimin që na e premtuat?!”. Tek pronarët që na thoshin “ku i keni pronat që na i premtuat?!” Tek të përndjekurit, tek sipërmarrja. E pra miqtë e mi, dy gjëra i dimë fare mirë: Të ndryshosh, do të thotë të përmirësosh.

Dhe të ndryshosh në mënyrë të rregullt, do të thotë t’i afrohesh perfeksionit. Ne e kemi nisur këtë ndryshim dhe jemi të vendosur ta çojmë deri në fund. Po ky ndryshim nuk mund të jetë i plotë, pa u shkëputur nga vargonjtë e së shkuarës. Dhe për këtë, askush në këtë sallë nuk duhet të ketë iluzionin më të vogël. Askush jashtë kësaj salle, që shikon tek ju, ka sytë tek lidershipi i degës 2, nuk duhet të ketë, iluzionin më të vogël. Sepse në këtë moment, kur kemi thënë zgjedhim të ardhmen dhe ecim përpara, çdo hap pas, është jo thjesht gabim, por mund të jetë fatal. Jo thjesht për interesat tona si demokratë, por për interesat e Shqipërisë dhe të shqiptarëve. Ju po e shihni, ditë pas dite, mbrëmje pas mbrëmjeje. Përballja është e qartë, në Shqipëri ka vetëm një opozitë, kundër qeverisë më të korruptuar që ka njohur vendi në 30 vite, qeverisë më të korruptuar të Ballkanit, siç e nxori prapë raporti i fundit ndërkombëtar i Transparency Internacional. Ka vetëm një opozitë dhe kjo është Partia Demokratike e Shqipërisë, që është një dhe vetëm një, jo dy. Ka vetëm një opozitë garante të interesit publik që përballet me të gjitha format dhe mënyrat me të keqen. Dhe gjithë të tjerët janë bërë bashkë.

Në qoftë se kemi mësuar diçka në këto muaj, të gjithë të tjerët janë bërë bashkë me Edi Ramën. I patë mbrëmë si flasin njësoj, mbajnë të njëjtat qëndrime, përdorin të njëjtat terma, kanë të njëjtën gjuhë, i bashkon i njëjti hall, që nuk është halli i shqiptarëve, është halli i karrigeve të tyre personale, i fatit të tyre personal. Në raport me atë që i kanë hyrë në hak shqiptarëve. Njëri koordinon sulmin kundër Partisë Demokratike, tjetri e financon Foltoren dhe flet me gjuhën e Foltores edhe në Parlament, edhe në qeveri, edhe në ekran, tjetri e zbaton planin për të shkatërruar Partinë Demokratike. Edhe ata janë bashkë, mos keni iluzione. Hiqni çdo iluzion. Janë bashkë, Edi Rama, Sali Berisha, Ilir Meta, janë të tre bashkë, janë bashkë prej hallit që i lidh bashkë, dhe janë bashkë për të shkatërruar Partinë Demokratike. Mos keni asnjë iluzion. Sigurisht që nuk kanë për t’ia arritur, përkundrazi, ajo që shoh dhe prek me sytë e mi, pa pasur nevojë për ndërmjetësimin e ekranit, është një vendosmëri në rritje e demokratëve, një vetëdije në rritje të demokratëve. Kjo parti, quhet Partia Demokratike, ka kaluar edhe periudha të vështira, por përbëhet nga demokratë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb