Presidenti Ilir Meta ka vizituar artistin Sali Shijaku për të biseduar për natën e 7 tetorit të 1942 ose e njohur ndryshe si beteja e Kodrës së Kuqe.

Meta shkruan se në veçanti me Shijakun ka folur për trimërinë e Vojo Kushit. Ai thotë se mbi oxhakun e banesës së Sali Shijakut qëndron edhe kryevepra e punuar për Heroin e Lirisë Kombëtare, Mic Sokoli.

Kujtojmë se vetëm 3 javë më parë Meta nderoi me dekoratën ”Nderi i Kombit” artistin pamor shqiptar Sali Shijaku.

STATUSI NGA ILIR META

Një mbrëmje mbresëlënëse në shtëpinë e Nderit të Kombit, artistit tonë të mirënjohur, ikonë e artit pamor shqiptar, Sali Shijaku, në Kodrën e Kuqe ku është derdhur shumë gjak për çlirimin e Tiranës dhe gjithë Shqipërisë.
Si dëshmitar i gjallë i betejës së lavdishme të Kodrës së Kuqe, ku ranë heroikisht Vojo Kushi, Xhoxhi Martini e Sadik Stavileci, piktori ynë i madh krijoi një kryevepër që sjell përherë të freskët e të paharruar në memorien kombëtare këtë ngjarje të rëndësishme të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare.
Biseduam gjatë rreth asaj nate të 7 tetorit 1942 e në veçanti për trimërinë e Vojo Kushit që tmerroi okupatorët, të skalitur në memorien e Sali Shijakut e popullit të Tiranës, për të qenë përherë frymëzuese në betejat kundër armiqve të çdo epoke të Shqipërisë.
Mbi oxhakun e shtëpisë së tij qëndron madhështore edhe një tjetër kryevepër e punuar nga vetë Sali Shijaku, Heroi i Lirisë Kombëtare, Mic Sokoli.
I urova jetë të gjatë dhe krijimtari të re! ??

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb