Pavarësisht se lojtarët janë duke pushuar për festat e fundvitit, drejtuesit e Skënderbeut janë ende në punë duke u munduar të bëjnë zgjedhjet e duhura për të forcuar skuadrën në prag të pjesës së dytë të kampionatit. Idetë duket se janë të qarta në kampin korçar, por nuk ka ende asnjë zyrtarizim nga stafi i presidentit Takaj, që duket se nuk dëshiron të nxitohet. Ndoshta për këtë arsye edhe blerja e parë në merkato do të vijë në ditët e para të muajit janar.

Bardhekuqtë i kanë të përqendruara të gjitha energjitë e merkatos për të kërkuar një sulmues potencial, një mesfushor krahu kryesisht të djathtë, si dhe një lojtar organizator që do të bënte Shkëmbin në fushë. Pistat duket se janë të shumta dhe do të shqyrtohen me kujdes. Burime në klub bëjnë me dije se edhe trajneri Agostineli, tashmë thuajse i konfirmuar, ka dërguar pranë presidentit listën e tij të dëshirave që pret t’i realizohen.

Sulmi
Bardhekuqtë, pasi kanë parë Partizanin t’u marrë nga “duart” sulmuesin nigerian Methiu Boniface, i cili ka firmosur tashmë për një vit e gjysmë me të kuqtë, duket se janë angazhuar seriozisht për të gjetur një tjetër lojtar që luan në sulm. Boniface u fol se do të ishte afrimi i parë i Skënderbeut, pasi ishin pikërisht korçarët ata që e dhanë huazim te Trepça në Kosovë deri në janar. Lojtari ishte i preferuar edhe nga trajneri Agostineli, por Partizani duket se u tregua më i shpejtë dhe arriti të marrë shërbimet e nigerianit.

Të shokuar nga kjo lëvizje, korçarët tashmë janë të fokusuar në Vlorë ku lista e dëshirave prej kohësh mban emrin e Danilo Alveshit. Sulmuesi brazilian është një nga të preferuarit e presidentit Ardjan Takaj, i cili e donte lojtarin që në merkaton e verës, por transferimi, ndonëse ishte pranë, nuk u finalizua me sukses. Tashmë Skënderbeu është rihedhur në sulm për të bindur brazilianin që të shkojë në Korçë, por tratativa duket e vështirë. Kjo për shkak të kontratës që Alvesh ka me Flamurtarin dhe oferta për rinovim që iu bë nga drejtuesit e klubit vlonjat.

Megjithatë, Skënderbeu po monitoron situatën dhe, nëse Alvesh refuzon rinovimin, atëherë korçarët pritet që t’i paraqesin një ofertë zyrtare ekipit të Flamurtarit për t’i marrë shërbimet e lojtarit të tyre. Veç Alveshit, Skënderbeu po ndjek me kujdes edhe Donjet Shkodrën, i cili shihet si një pasues i denjë i Shkëmbit./panoramasport
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb