Lajme tv mira mbi gjendjen shëndetësore të këngëtares legjendare britanike Bonnie Tyler, e cila është zgjuar nga koma e induktuar pas më shumë se një muaji trajtimi intensiv në spital.

Sipas një deklarate të ekipit të saj, artistja nuk ndodhet më në koma, megjithëse gjendja e saj vazhdon të konsiderohet serioze. Ajo po trajtohet ende në repartin e kujdesit intensiv të një spitali në Faro, ku mjekët mbeten optimistë për rikuperimin e saj. Këngëtarja e njohur për hitin Total Eclipse of the Heart u shtrua me urgjencë në spital në fillim të majit pas komplikacioneve të shkaktuara nga një perforim i zorrës. Ajo iu nënshtrua një operacioni urgjent, pas të cilit mjekët vendosën ta mbanin në koma të induktuar për të ndihmuar procesin e rikuperimit.

Gjatë javëve të fundit, gjendja e artistes ka qenë në qendër të vëmendjes së mediave ndërkombëtare. Më herët ishte raportuar se ajo po trajtohej me ventilim të asistuar dhe se mjekët po monitoronin nga afër ecurinë e saj shëndetësore. Menaxhmenti i këngëtares ka falënderuar fansat për mbështetjen dhe mesazhet e shumta, duke bërë të ditur se Bonnie është e vetëdijshme për dashurinë që ka marrë nga publiku në mbarë botën. Për shkak të gjendjes së saj shëndetësore, një pjesë e koncerteve të planifikuara janë anuluar ose shtyrë.

Bonnie Tyler, një nga zërat më të njohur të muzikës rock dhe pop të viteve ’80, ka fituar famë ndërkombëtare me këngë si “Total Eclipse of the Heart” dhe “Holding Out for a Hero”, duke mbetur një prej artisteve më të dashura të muzikës britanike.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb