Karlos Alkaraz u mbështet te shembulli i Roxher Federerit dhe i Rafael Nadalit teksa përgatitej të rikthehej në “US Open”, pas një mungese prej 139 ditësh, të shkaktuar nga një dëmtim në kyçin e dorës së djathtë. “Federer dhe Nadal kanë treguar se është e mundur të fitosh një Grand Slam edhe pasi ke qëndruar për një kohë të gjatë jashtë fushave”, shprehej Alkaraz.
Tashmë, spanjolli nga Murcia, i sapokualifikuar në çerekfinalet e turneut të Nju Jorkut pas fitores me tre sete ndaj vendasit Tomi Pol, ka realizuar rikthimin më të mirë në qarkun e tenisit që nga triumfi i Nadalit në “Australian Open” të vitit 2022.Nadal, në atë rast, fillimisht fitoi turneun përgatitor ATP 250, të zhvilluar gjithashtu në impiantin e “Flinders Park”, dhe më pas ngriti trofeun e Grand Slam-it të parë sezonal në “Norman Brookes”, pasi përmbysi një disavantazh prej dy seteve ndaj Danil Medvedevit. Rikthimi i jashtëzakonshëm i Rafa Nadalit sfidoi çdo logjikë, pasi probabiliteti i fitores së spanjollit ishte vetëm 4 për qind pasi kishte humbur dy setet e para. Pikërisht pas kësaj shifre ai gjeti forcën për të siguruar titullin e 21-të Grand Slam të karrierës.

REKORDE PËR T’U THYER

Karlitos synon Grand Slam-in e tetë në moshën 23-vjeçare. Askush në historinë e tenisit nuk e ka fituar “US Open” pa marrë pjesë më parë në turnetë “Masters 1000” të Kanadasë ose Sinsinatit, që nga krijimi i kësaj kategorie turnesh në vitin 1990.

Vetëm Roxher Federer ka arritur të mbrojë titullin e “US Open” në këtë shekull, duke triumfuar pesë herë radhazi, nga viti 2004 deri në vitin 2008. Nëse dikush është në gjendje t’i thyejë këto statistika, ai është fenomeni nga El Palmar. Sot në orën 17:30, Alkaraz do të përballet në çerekfinalet e “US Open” me amerikanin Ben Shelton.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb