Nga: ERMELINDA HOXHAJ

Listat e fituesve në universitet nuk do të kenë asnjë ndryshim nga listat paraprake. Kjo gjë është deklaruar nga dekanët e fakulteteve të Universitetit të Tiranës, sipas të cilëve ankimimet e maturantëve të pakënaqur kanë qenë shumë të pakta dhe nga ripërllogaritja e pikëve që është bërë, nuk ka asnjë ndryshim. Kështu që edhe listat përfundimtare të fituesve, të cilat do shpallen në datë 11 shtator nuk do kenë asnjë ndryshim nga listat paraprake të fituesve, që u shpallën në datë 5 shtator. Në total në UT janë bërë rreth 210 ankimime në të gjashta fakultetet e tij, numrin më të madh e ka pasur Fakulteti i Ekonomisë, me 50 ankesa. Po ashtu, numër të vogël ankimimesh ka pasur edhe në Universitetin e Mjekësisë. Sipas rektorit Gjata, nga 9 mijë maturantë që kanë aplikuar në programet e studimit në UMT, ankesë kanë bërë vetëm 29 prej tyre.
Ankesat&fituesit
Nga procesi i ankimimit në universitetet publike ka rezultuar se interesimi i maturantëve ka qenë i ulët. Në 6 fakultetet e UT-së janë regjistruar mesatarisht 30-50 ankesa nga maturantët që kanë aplikuar, por nuk kanë janë shpallur fitues në listat paraprake, të cilat në listat përfundimtare të fituesve të fazës së parë nuk do të jenë, pasi sipas drejtuesve të fakulteteve, nuk do ketë asnjë ndryshim në listat e datës 11 shtator. “Në total, te Fakulteti i Drejtësisë u bënë 33 ankimime. Ankimimet janë bërë nga kandidatët që nuk kanë mundur të fitojnë Drejtësinë dhe tema kryesore e tyre ishte rivlerësimi i pikëve si dhe verifikimi i lëndëve preferenciale. Normalisht që ne sot, pra në datë 9, u kemi kthyer përgjigjen e argumentuar dhe asnjë prej kandidatëve nuk ka ndryshim pikësh. Pra, përllogaritjet që ishin bërë janë të sakta dhe në listat përfundimtare të fakultetit tonë nuk do të ketë ndryshime nga listat paraprake”, tha për “GSH” dekani i Fakultetit të Drejtësisë, Artan hoxha. Ndër të tjera, sipas Hoxhës, këta kandidatë kanë shumë shanse në raundin e dytë. “Këta kandidatë kanë shumë mundësi të fitojnë në fazën e dytë, pasi pikët e tyre kanë qenë shumë afër me fituesit e fazës së parë. Normalisht që të gjithë ata që kanë aplikuar nuk do fitojnë, pasi ka rreth 7 mijë aplikime për 660 kuota”, theksoi Hoxha, dekani i Drejtësisë. Sa i përket mosndryshimit të listave është pohuar edhe nga dekani i Fakultetit të Shkencave të Natyrës, Spiro Drushku. “Në Fakultetin e Shkencave të Natyrës janë bërë 36 ankesa, të cilave u kemi kthyer përgjigje ditën e premte. Ankesat kryesisht kishin të bënin me ripërllogaritjen e pikëve, por ka pasur edhe rast ku kandidatët nuk dinin se sa e kishin ID e tyre personale. Nga ripërllogaritja e pikëve u konstatua se nuk ishte bërë asnjë gabim, ndaj listat e programeve të studimit te Shkencat e Natyrës nuk do ndryshojnë”, theksoi dekani i Shkencave, Drushku. “Në Universitetin e Mjekësisë kanë kandiduar 8 mijë kandidatë dhe në total ka pasur 21 mijë aplikime, pasi kanë garuar në shumë degë të UMT. Ankesa janë vetëm 29, por pasi komisioni bëri shqyrtimin, nuk është vënë re asnjë gabim në përllogaritjen e pikëve. Listat e fituesve do jenë këto që janë aktualisht”, theksoi rektori i UT, Arben Gjata.
(ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb