Udhëheqja kineze ka shkarkuar nga postet e tyre në Komisionin Qendror Ushtarak dy zyrtarë të lartë të ushtrisë, Zhang Guxia dhe Liu Zhenli, njoftoi të hënën agjencia zyrtare e lajmeve Xinhua, duke cituar Komitetin e Përhershëm të Kongresit Kombëtar Popullor.
Zhang Guxia, i cili ishte nënkryetari i Komisionit Qendror Ushtarak dhe një nga figurat më të larta ushtarake pas presidentit Xi Jinping, ishte vënë nën hetim që në janar. Ai ishte gjithashtu anëtar i Byrosë Politike të Partisë Komuniste Kineze.
Edhe Liu Zhenli, anëtar i Komisionit Qendror Ushtarak dhe shef i Shtabit të Përgjithshëm të këtij institucioni, është vënë nën hetim për dyshime mbi “shkelje të rënda të disiplinës dhe ligjit”.
Shkarkimet vijnë në një kohë kur udhëheqja kineze po vijon një fushatë të gjerë kundër korrupsionit dhe shkeljeve brenda strukturave të ushtrisë.
Kina ka struktura paralele të Partisë Komuniste dhe të shtetit në drejtimin e forcave të armatosura. Njoftimi i fundit lidhet me postet shtetërore të Zhang dhe Liu në Komisionin Qendror Ushtarak. Megjithatë, deri më tani, të dy zyrtarët nuk janë shkarkuar zyrtarisht apo publikisht nga pozicionet e tyre në Komisionin Qendror Ushtarak të Partisë Komuniste në pushtet.
