Takimi i tre liderëve të fuqive më të mëdha botërore në Pekin është komentuar nga analisti i çështjeve ndërkombëtare Ilir Kulla.

Sipas Kullës, SHBA-të, Rusia dhe Kina përfaqësojnë tri fuqi që kanë dalë fituese në raportet aktuale gjeopolitike, ndërsa Europa mbetet jashtë tryezave ku merren vendimet e rëndësishme. Ai argumentoi se këto tri shtete kanë një avantazh të madh, pasi përfaqësohen nga një lider i vetëm, ndërsa Bashkimi Europian nuk ka një qendër të unifikuar vendimmarrjeje.

“Trump dominon hemisferën perëndimore. Ai shprehet se është fuqia më e madhe në botë. Janë të trija palët fituese. Europa nuk është në tavolinë, sepse nuk është fituese. Nga aspekti ekonomik, të treja janë të fituara. Rusia është fuqia më e madhe bërthamore, Kina sepse është fuqi ekonomike në lëvizje dhe SHBA-të si ekonomi e fuqishme”, u shpreh Kulla.

Analisti theksoi se një tjetër element që i jep avantazh këtyre fuqive është mënyra se si ato përfaqësohen në marrëdhëniet ndërkombëtare. Sipas tij, SHBA-të, Rusia dhe Kina kanë një drejtues të vetëm me të cilin mund të zhvillohen negociatat, ndërsa në rastin e BE-së situata është shumë më e ndërlikuar, për shkak të mungesës së një lidershipi të unifikuar.

“Edhe SHBA-të janë në fakt një shtet, por ka një president, nuk ka shumë liderë. Edhe Rusia është Federatë, por ka një kryetar. Edhe Kina ka një kryetar. Në këto vende ke me kë të flasësh, po në BE me kë do flasësh? Von der Leyen nuk e pyesin as në Gjermani dhe jo me vendet e APEC”, deklaroi ai.

Kulla, i ftuar në emisionin Zonë e Lirë në News24 u ndal edhe te pozicioni ekonomik i Europës, duke argumentuar se kontinenti ka humbur një pjesë të rëndësishme të fuqisë së tij prodhuese dhe po shndërrohet gjithnjë e më shumë në një treg konsumi. Sipas tij, Europa ka humbur edhe avantazhin që kishte nga sigurimi i lëndëve të para me çmime të favorshme nga Rusia, ndërsa tashmë detyrohet t’i sigurojë ato me kosto më të larta nga SHBA-të dhe vende të tjera.

“Europa është thjesht një treg i madh konsumi, në të cilën nuk prodhohet gati asgjë. Lëndët e para që i merrte lirë në Rusi, tani i merr shtrenjtë në Amerikë apo shtete të tjera”, u shpreh analisti.

Ai solli në vëmendje edhe ndikimin në rënie të vendeve europiane në Afrikë, ku sipas tij, Rusia ka forcuar praninë dhe ndikimin e saj, ndërsa shtetet europiane nuk kanë më peshën që kishin dikur.

Kulla paralajmëroi se Europa duhet të rishikojë pozicionin e saj në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe të përcaktojë aleancat strategjike në një realitet ku fuqitë e mëdha po diktojnë gjithnjë e më shumë zhvillimet globale.

“Fuqia e Rusisë dhe e Kinës sot është e madhe. Fuqia amerikane është e para në botë, por është duke rënë. Europa është thjesht një treg i madh konsumi. Ky takim kishte tre shefat e mëdhenj. Europës ose do t’i duhet të zhduket ose duhet të shikojë aleancat”, përfundoi Kulla.

 

 

 

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb