TIRANË- Gjykata e Tiranës ka lënë në burg shtetasen amerikane Andrea Grace Bailey-Kay e cila akuzohet për keqtrajtimin e dy fëmijëve të saj, 17 dhe 14 vjeç. Dhuna e 47-vjeçares, nënë e 8 fëmijëve, 6 prej të cilëve të birësuar u zbulua pasi dy djemtë Tadgh Bailey Kay dhe Tavish Bailey Kay ikën nga banesa dhe u gjetën gjashtë ditë më pas në zonën e Selitës.

Ata deklaruan se ishin larguar nga shtëpia pas dhunës së nënës së tyre, e cila u morr në pyetje dhe u arrestua.

Sot gjykata ka vendosur ta lërë në burg gruan pavarësisht lutjeve dhe dëshmisë së saj në seancë të zbardhur nga “BalkanWeb”. Ajo ka mohuar se i ka rrahur fëmijët e saj duke kërkuar lirinë.

“Nuk i kam dhunuar, i dua fëmijët. Ju lutem më lini të kthehem në shtëpi. Dy djemtë i kam birësuar pasi nëna e vërtetë e tyre kishte probleme me drogën”, ka thënë 47-vjeçarja.

DËSHMIA E DJEMVE
Tronditëse ka qenë dëshmia e dy adoleshentëve që të detyruar nga dhuna e vazhdueshme janë larguar nga shtëpia e tyre. Tadgh dhe Tavish kanë rrëfyer për hetuesit e çështjes dhe në prani të psikologut se nëna që i kishte adoptuar i rrihte vazhdimisht, madje edhe me mënyra çnjerëzore.

“Na qëllonte gjithmonë, edhe kur nuk kishim bërë asnjë veprim. Nëna na godiste me rrip”, kanë rrëfyer ata për oficerët gjyqësorë, raporton “BalkanWeb”.

Në përfundim të seancës, Gjykata ka nxjerrë një urdhër mbrojtjeje për fëmijët e 47-vjeçares Bailey-Kay.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb