Pep Guardiola e ka cilësuar diferencën e Manchester Cityt të tij me Liverpulin +14 pikë në mes të muajit janar si diçka false dhe e ka krahasuar rivalitetin e Anglisë me atë të Barcelonës dhe Realit të Madridit në Spanjë.

“Reds”-at barazuan 2-2 me Chelsea në 2 janar dhe “Qytetarët” shkuan +11 nga rivalët për titull, një diferencë që u thellua në +14 dy javë më vonë pas fitores 1-0 kundër skuadrës së Tuchel në “Etihad”.

Por Liverpool kishte edhe dy ndeshje në dispozicion më 15 janar dhe barazimet e Cityt me Southampton dhe Crystal Palace, por edhe humbja me Tottenham në mes të shkurtit rihapën garën.

Përpara duelit direkt të së dielës në “Etihad”, Liverpool, që sot është -1 pikë pas kampionëve, shpreson të përsërisë triumfin e vitit 2020. Ata nuk janë mundur ende në vitin 2022 dhe kanë grumbulluar 31 pikë nga 33 të mundshme që prej 1 janarit.

Nëse Liverpool shpallet kampion, kjo do të ishte përmbysja më e madhe në historinë e Premier League. Në një intervistë për sajtin e klubit, Guardiola e quan atë diferencë të çmendur në janar si të pavërtetë.

“Ajo që është e sigurt për Liverpool dhe Cityn këto vitet e fundit është se ne kemi ngritur stekën që Premier League ka pasur më parë. Skuadrat e tjera kuptuan se duhet të shtyjnë më shumë nëse duan të na arrijnë.

Në 5-6 vitet e fundit, një vit mund të kemi qenë disi jashtë gare. Vitin e shkuar ata patën dëmtime dhe Junajtid ishte aty. Ndërsa për 5-6 vite ne kemi qenë duke luftuar për titull. Ato 14 pikë ishin false. Ju e keni gabim. Sepse ne kishim luajtur dy ndeshje më shumë sesa ata.

E kam jetuar këtë situatë kur isha në Barcelonë. Ishte gjithnjë Reali, ndonjëherë Atletico, por normalisht ishte Barça-Real. Këtu ka 5-6 skuadra, por në 5 vitet e fundit janë këto të dyja.

Ky është realiteti i Premier League. Kjo tregon vazhdimësinë dhe strukturën e dy skuadrave. I kuptoj njerëzit që flasin për Liverpool. Jam i sigurt se të gjithë njerëzit do ta shohin ndeshjen. Do të jenë dy skuadrat kryesuese të kampionatit që do të përpiqen të fitojnë titullin”, – tha Guardiola.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb