Ish-ministri i Financave, Arben Malaj, sqaroi në një lidhje me “Skype” në rubrikën “Opinion”, në News24, arsyet pse ka vendosur të mos kandidojë në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit.

Malaj tha se kushdo mund të kontribuojë për vendin jo vetëm duke qenë deputet apo ministër, duke shtuar kështu se do të vijojë të kontribuojë si këshilltar apo ekspert ekonomie në çdo institucion financiar, që t’i bëhet ofertë.

“Kështu që nuk largohem nga detyrimi për t’i shërbyer vendit tonë, por do të mundohem të bashkoj sa më shumë energji pozitive, që e gjelbërta, qoftë dhe ne zgjedhjet e ardhshme të pushtetit vendor, të fillojë të bëhet një zë i fuqishëm. Shqipëria do të ketë zhvillim të qëndrueshëm vetëm kur të orientohet nga ekonomia e gjelbër dhe e dijes”, tha Malaj.

Më tej, ai foli për largimet nga Partia Socialiste, si Vasilika Hysi apo Besnik Baraj, duke thënë se ata kontribuuan shumë për partinë, por tani u gjendën të braktisur, ndërsa shtoi se vetëlargimi apo largimi i tyre nga PS, ka brenda edhe zhgënjimin.

Sa i përket zgjedhjeve të 25 prillit, Malaj u shpreh se ato janë prova e Shqipërisë për procesin e integrimit në Bashkimin Evropian.

“Ka një demagogji të madhe se ne i kemi bërë detyrat e shtëpisë, por ka krizën e saj Evropa. Jo. Evropa ka pranuar në gjirin e saj Kroacinë, në kulmin e krizës së saj financiare. I ka dhënë statusin e vendit kandidat shumë vendeve, por nuk mund të çelen negociatat ndërqeveritare, pa testuar zgjedhjet e vitit 2021. Nëse në qytete si Vlora do të jenë përfaqësues në listë individë që janë në dosjen e vjedhjes së votave, në Dibër, dhe që penguan Shqipërinë katër vjet të përparonte në procesin e integrimit, kjo do të thotë se nuk ka ndryshuar asgjë”, shtoi ish-ministri.

Intervista:
Pse vendosët të mos garoni në zgjedhjet e 25 prillit?
Eksperti i ekonomisë, Arben Malaj: Kam theksuar se gjithmonë kam vlerësuar se vendit mund t’i shërbesh jo duke qenë vetëm deputet dhe ministër. Besoj se demokracia jonë funksionale vuan nga fakti që përqendrimi i shumë pushteteve në pak duar, qoftë ekonomik apo politik, është dështimi më i madh që ka demokracia jonë në këtë tranzicion. Mendoj se ka kolegë të tjerë që duhet të investohen si kapital i Shqipërisë, pasi ne kemi mungesë personalitetesh.

Ky ishte një vendim personal?
Patjetër. Unë i falënderova partitë e opozitës për ftesën që më bënë, dhe besoj se mund t’i shërbej vendit si këshilltar nëpër institucione të tjera të qeverisjes ekonomike të vendit tim, por jo domosdoshmërisht si deputet.

Ky ka qenë një vit i vështirë, ku pas tërmetit u goditëm nga pandemia, që ndikoi qartë në ekonominë tonë. Fakti që po merrni këtë vendim, nuk ju duket se po i lini vetëm ekspertët e ekonomisë, por edhe shqiptarët, për t’u ringritur?
Kontributet dhe angazhimet e mia kanë qenë pjesë e ekipeve. Ekipi aktual i mazhorancës për mua është problematik në qeverisjen e vendit. Unë nuk tërhiqem, por besoj se do jemi 2-3 ekonomistë, që do të angazhohemi, do të ndajmë shqetësimet tona, kemi thënë çfarë duhet bërë më mirë. Para pak ditësh, unë me gazetaren Klodiana Lala dhe kolegë të tjerë bëmë një intervistë për pasojat që kishte paraja e pistë në ekonominë dhe politikën shqiptare. Dy ditë më vonë, ky u shfaq si shqetësim, aq sa presidenti Biden e ka vendosur në axhendën kryesore luftën ndaj korrupsionit edhe për vende te zhvilluara, dhe jo më vende si i joni. Kështu që kontributi do të jetë patjetër.

Unë vetëm i atashuar si këshilltar pranë PAA, jam i zhgënjyer që në vendin tonë mungon e gjelbërta, që po bëhet sot dominues në shtete e pushtete të ndryshme në Evropë. Do të përkushtohem që ky lloj përfaqësimi i kësaj rryme moderne, pasi të gjitha studimet tregojnë se e ardhmja do të jetë e gjelbërt, do përfaqësim politik. Kështu që nuk largohem nga detyrimi për t’i shërbyer vendit tonë, por do të mundohem të bashkoj sa më shumë energji pozitive, që e gjelbërta, qoftë dhe ne zgjedhjet e ardhshme të pushtetit vendor, të fillojë të bëhet një zë i fuqishëm. Shqipëria do të ketë zhvillim të qëndrueshëm vetëm kur të orientohet nga ekonomia e gjelbër dhe e dijes.

Pra, jeni të gatshëm të jepni kontribut, nëse ju vjen një ofertë?
Do më parapëlqente ose të isha këshilltar, ose të më jepej të drejtoja një institucion të qeverisjes financiare, por jo ministër. Gjithë eksperiencën time 40-vjecare si ekonomisë, 16-vjecare si parlamentar e 5-vjecare si ministër të mund ta përdor sa më pozitivisht për vendin, në cdo pozicion që të jetë e mundur.

Ky vendim i juaji lidhet dhe me dëshirën për të qëndruar më afër familjes, të afërmve?
Familja është një faktor, por nuk është përcaktues. E mora këtë vendim më shumë për të krijuar idenë se nuk duhet absolutizuar pushteti. Nuk mund të absolutizohen gjeneratat e reja. Eksperienca, përvoja, vendimmarrja, janë absolutisht të rëndësishme. Ne vuajmë nga mungesa e kapaciteteve të qeverisjes, në çdo nivel të saj. Ne duhet të provojmë sa më shumë njerëz, që e duan këtë vend, kanë integritet dhe profesionalizëm.

Një koment në lidhje me vendime, që janë marrë nga emra të rëndësishëm socialistësh për të mos marrë pjesë në zgjedhje. Ju vjen keq që s’do të jenë më në lista, si Hysi, Baraj, etj?
Sigurisht që, e para dua t’iu shpreh mirënjohjen këtyre personaliteteve, por edhe të tjerëve, që lanë anën akademike dhe iu përkushtuan PS, ndërsa tani u gjendën të braktisur. Unë mendoj që vetëlargimi i tyre ka brenda edhe zhgënjimin e tyre. Nuk dua të abuzoj, por formimi i tyre akademik do ishte i domosdoshëm për PS. Nuk ishte radha e tyre as të vetëlargoheshin, as të largoheshin.

I ndodh një politikani që pasi kanë kaluar disa vite dhe pasi ka lënë fuqishëm kontributin e tij, të ezaurohet dhe të heqë dorë?
Po ti shikoni dy emrat më lartë, por edhe të tjerë, se sa aktivë kanë qenë në Kuvend, do t’iu rezultojë se ata kanë qenë shumë të dobishëm, si dhe do të shihni deputetë më 2021, që nuk kanë folur as edhe njëherë në Kuvend, s’kanë asnjë kontribut, por thjesht janë më të preferuar nga dikush se këta. Mbeten ata që votojnë vetëm në heshtje dhe sipas një vendimi politik, pa asnjë analizë individuale dhe kontribut personal.

Programet e PD, kush tërheq më shumë apo është më shumë i vlefshëm?
Pushtetet e gjata dhe absolute rrisin risqet për korruptim. Dhe ne po vuajmë shumë, janë një barrë e rëndë borxhesh, që do të bëhen të ditura më vonë. Lidhja e qeverisjes me oligarkët, që ndryshojnë dhe strukturën e qeverisjes sipas preferencave, është nevojë jetike për të ndërprerë këtë cikël negativ, në të cilin ka hyrë Shqipëria, aq më tepër kur Shqipëria mbeti e fundit në rrugën e integrimit evropian. Ka një demagogji të madhe se ne i kemi bërë detyrat e shtëpisë, por ka krizën e saj Evropa. Jo. Evropa ka pranuar në gjirin e saj Kroacinë, në kulmin e krizës së saj financiare. I ka dhënë statusin e vendit kandidat shumë vendeve, por nuk mund të çelen negociatat ndërqeveritare, pa testuar zgjedhjet e vitit 2021. Nëse në qytete si Vlora do të jenë përfaqësues në listë individë që janë në dosjen e vjedhjes së votave, në Dibër, dhe që penguan Shqipërinë katër vjet të përparonte në procesin e integrimit, kjo do të thotë se nuk ka ndryshuar asgjë.

Do të ndihmonte taksa e sheshtë 9% për të zhbërë këtë panoramë?
Unë nuk jam partizan i taksës së sheshtë, në këndvështrimin e ndarjeve partiake, e majtë, e djathtë, por taksa e sheshtë nuk është as shkopi magjik dhe as mallkimi për sistemin e taksave. Ajo është e dobishme, por jo në nivele kaq të ulëta. Mund të shërbejë për të çliruar më shumë energji pozitive.

Po në këtë situatë i duhet Shqipërisë taksa e sheshtë apo progresive?
Shqipërisë i duhet të mos ndryshojë taksat disa herë brenda një mandati politik. Taksat nuk janë shkopi magjik. Ka një lloj demokratizimi i partive politike në programet e tyre. Taksa nuk është thelbi i asaj që do të sjellë ndryshimin e madh që kërkojnë shqiptarët.

Ju do të ishit që të mbeten këto taksa, apo të eliminohen?
Në menaxhimin e financave publike ka disa rregulla, që ne i quajmë të arta. Buxheti shkon te njerëzit, te pjesa e shpenzimeve, investimeve publike. Pra, sa sakrifica bën ai që punon, konvertohet në të mira publike, në një sistem shëndetësor më të mirë, në një rrugë të mirë. Ne duhet ta kishim ulur deficitin dhe borxhin, kur kishim rritje të mirë ekonomike, dhe jo ta shpërdoronim atë. E para që duhet të bëjë qeveria e re, është të çlirojë buxhetin. Duhet të çlirojmë buxhetin.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb