Duket se ish-ambasadores amerikane në OKB, Nikki Haley po i mbarojnë opsionet, pas fitores së Donald Trump në New Hampshire të martën mbrëma dhe fuqisë së tij në shtetet e mbetura. Haley do të duhet të përballet me realitetin që zyrtarët e lartë republikanë duan gjithnjë e më shumë që gara të përfundojë sa më herët. Dhe kjo më pas do të ishte hapja e rrugës edhe për një gjë tjetër: zgjedhjen e një kandidati për të garuar për zëvendës-president.

Në këtë drejtim thuhet se ka gjithashtu një presion të ri që 77-vjeçari të bëjë zgjedhjen e tij, në mënyrë që republikanët të mund ta kthejnë fokusin e tyre drejt zgjedhjeve të përgjithshme. Më poshtë hedhim një vështrim rreth emrave që duhen parë ndërsa ish-presidenti amerikan vazhdon përpjekjet për t’u rikthyer në Shtëpinë e Bardhë:

Ish-ambasadorja në OKB, Nikki Haley

Haley, e cila ka lënë të kuptohet se fushata e saj do të vazhdojë, ka thënë vazhdimisht se nuk është e interesuar të jetë zëvendëspresidente e askujt.

Senatori Tim Scott i Karolinës së Jugut

Senatori 58-vjeçar me tri mandate “miratoi” kandidaturën e Trump pak para zgjedhjeve paraprake në New Hampshire.

Guvernatori Ron DeSantis i Floridës

Trump dhe aleatët e tij kaluan më shumë se një vit duke sulmuar pamëshirshëm DeSantis.

Sen. JD Vance i Ohios

Pavarësisht se u zgjodh në Senatin e SHBA-së vitin e kaluar, Vance është paraqitur në mënyrë të përsëritur si një kandidat potencial për zëvendëspresident.

Dhe ai nuk thotë jo.

Marjorie Taylor Greene e Georgias

“Është folur shpesh dhe e di që emri im është në listë”, tha Greene për The Guardian në gusht. “Por me të vërtetë fokusi im më i madh tani është t’i shërbej distriktit që më zgjodhi”.

Por ka pak dyshim se një pjesë e bazës së Trump do të ishte e kënaqur me një përzgjedhje të tillë, nëse ai do të vendoste të shkonte në këtë drejtim.

Elise Stefanik e New Yorkut

Kryetarja e Konferencës së Republikanëve të Dhomës së Përfaqësuesve, Elise Stefanik është zyrtarja e rangut më të lartë që shihet si një zgjedhje e mundshme e Trumpit.

Kongresmenja e New Yorkut, e cila u ngjit në pozicionin e saj drejtues pas përmbysjes së Liz Cheney, ka pësuar dukshëm një ndryshim të mprehtë kur bëhet fjalë për Trumpin.

Kandidatja për guvernatore e Arizonës, Kari Lake

Lake, një ish-gazetare, përkushtimi i së cilët ndaj Trump është i pashembullt në mesin e republikanëve, po kandidon teknikisht për një tjetër punë tani: senatore e Senatit të SHBA-së për Arizona që aktualisht mbahet nga senatori, Kyrsten Sinema.

Guvernatorja e Dakotës së Jugut, Kristi Noem

Guvernatorja e Dakotës së Jugut, ndoshta më e njohur në nivel kombëtar për shkeljen e kufizimeve të vendosura për shkak të COVID-19 gjatë pandemisë, është ndoshta zgjedhja më e mundshme për zëvendësin e Trumpit.

“Unë mendoj se kujtdo në këtë vend, nëse do t’i ofrohet, duhet ta konsiderojë atë”, tha ajo në CBS në fillim të këtij muaji.

Guvernatori i Virginias, Glenn Youngkin

Youngkin, 57, ndryshe nga guvernatorët e tjerë në këtë listë, ka treguar se mund të fitojë një shtet konkurrues.

Guvernatorja Sarah Huckabee Sanders e Arkansas

Askush në këtë listë nuk e njeh Trump si Sanders – pasi ishte sekretarja e tij e dytë e shtypit në Shtëpinë e Bardhë. Dhe si guvernatore e Arkansas, ajo ka ndjekur një sërë politikash konservatore.

Guvernatorja Kim Reynolds e Iowa-s

Trump u përplas në mënyrë të përsëritur me Reynolds në ditët e fundit para fitores historike në Iowa. Trump ka sugjeruar gjithashtu që Prokurorja e Përgjithshme e shtetit Brenna Bird duhet të drejtojë Iowa-n një ditë në të ardhmen.

Biznesmeni Vivek Ramaswamy

Ashtu si disa kandidatë të tjerë në këtë listë, Ramaswamy nuk ka gjasa të zgjidhet si zëvendëspresidenti i ardhshëm i Trump. Por kjo nuk do të thotë se nuk ka njerëz që do të donin ta shihnin atë në atë vend.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb