Në një kohë kur ditën e nesërme do të mblidhet Këshilli Politik për reformën zgjedhore, ‘BalkanWeb’ zbardh emrat e anëtarëve me të cilët do të përfaqësohet opozita e bashkuar dhe maxhoranca. Gazetari Osman Stafa tha për ‘BalkanWeb’ se pas takimit të lideri të PD-së me aleatët opozitarë, u vendos që Këshilli të përfaqësohej nga 5 anëtarë.

PD do të përfaqësohet nga Oerd Bylykbashi, ndërsa LSI nga Petrit Vasili. Po ashtu mësohet se pjesë e këtij këshilli do të jetë edhe Mesila Doda nga PDIU dhe Fatmir Mediu nga Partia Republikane dhe kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule.

Ndërkohë gazetari Ergys Gjençaj bën me dije se nga maxhoranca do të marrin pjesë bashkëdrejtuesit e Komisionit Parlamentar të Reformes Zgjedhore Damian Gjiknuri dhe Rudina Hajdari. Po ashtu pjesë e tryezës do të jetë dhe anëtari i grupit parlamentar të PS, Ervin Bushati, ndërsa nga grupi parlamentar demokrat Myslim Murrizi si dhe përfaqësues i grupit të pavarur parlamentar Nimet Musai.

Kujtojmë se dje opozita joparlamentare u ul në një tryeze me maxhorancën për të folur mbi reformën zgjedhore, një nga kushtet e Bundestagut për çeljen e negociatave.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb