Në Universitetin “Luarasi” në kuadër të Ditës së Drejtësisë po mban punimet simpoziumi shkencor “Drejtësia midis traditës dhe modernitetit: Nga Kanuni tek Inteligjenca Artificiale”.

Rektori i Universitetit “Luarasi”, Maksim Haxhia, u ndal në Kanunin e Lekë Dukagjinit, ku tha se është një filozofi e plotë e rregullimit të jetës në të gjithë aspektet që nga prona tek aspekti penal.

Në fund rektori i universitetit “Luarasi” u shpreh se rruga nga Kanuni tek Inteligjenca Artificiale është e gjatë por ka në horizont dinjitetin e njeriut dhe trajtimin e barabartë nga drejtësia.

“Kënaqësi e privilegj të kem nderin t’ju përshëndes në këtë simpozium në këtë temë aktuale dhe sfiduese. Fjala drejtësi mban në vetvete mijë vite kërkim shkencor, luftëra, sakrifica dhe ëndrra të pa realizuara. Kanuni i Lekë Dukagjinit një filozofi e plotë e rregullimit të jetës në fushën civile e familjare, me rregulla mbi pronësinë dhe mbrojtjen e familjes dhe rregullime të fushës penale.
Besa nuk gjendet në asnjë legjislacion perëndimor. Normalisht Kanuni ka pasur edhe anët e veta të errëta si hakmarrja dhe gjakmarrja.

Ndonëse jurisprudenca e konsoliduar e Gjykatës Evropiane e të drejtave të njeriut, specifike për AI është ende në fazën e hershme. Për këtë arsye PE ka miratuar rregulloren për AI që konsideron sistemin e drejtësisë artificiale si “rrezik i lartë”, dhe imponon standarde strikte transparente dhe kontroll njerëzor.

Por mbetet e hapur pyetja: A mund të jetë e drejtë një drejtësi pa ndërgjegje? Algoritmi është instrument që nuk ka ndjenja, nuk ka mëshirë dhe paragjykime ndaj rracës njerëzore. Algorimit nuk njeh kontekstin njerëzor pas një akti. Ndërsa kanuni, e drejta zakonore me gjithë kufizimet, e njohin njeriun, ato e dinë se kush është, cfarë kishte bërë pasardhësi i tij.

Misioni i këtij simpoziumi nuk është të zgjidhë këto përplasje madhore. Përplasjet e mëdha intelektuale nuk zgjidhen, ato kultivohen, debatohen dhe përmeës debatit bëhemi më të orientuar, më bashkëkohorë në një shoqëri me prirje drejt së drejtës.

Misioni ynë është të ulim në një tryeze, historianin, filozofin, juristin, inxhinierin dhe formatuesin e të dhënave që ndërtojnë sistemet e reja. Rruga nga Kanuni te IA është e gjatë por ka në horizont dinjitetin e njeriut dhe trajtimin e barabartë nga drejtësia. Jam i bindur që diskutimet e sotme do të sjellin këndvështrime të reja, ide të vlefshme dhe kontribute konkrete për këtë temë. ”, tha mes të tjerash zoti Haxhia.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: