Kur emergjenca shëndetësore vlonte globalisht për shkak të pandemisë, kishte diçka për të cilën shqiptarët nuk e ulën vigjilencën. Prona! Dhoma Kombëtare e Noterisë dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës raportojnë se aplikimet për të legalizuar, për të regjistruar apo për të përfunduar një procedurë të nisur për pronën, mbajti të njëjtin ritëm si para pandemisë. Rritje të dukshme kanë shënuar edhe kontratat e dhurimit që në harkun e 12 muajve janë mbi 19 mijë, kurse testamentet ruajnë një ecuri konstante nga viti në vit me mbi 5 mijë akte të tilla të regjistruara në harkun kohor 15 korrik 2020 – 15 korrik 2021.

 Nën pasigurinë që mbolli pandemia e COVID-19, shumica e njerëzve si fillim vrapoi në raftet e dyqaneve, më pas te farmacitë për të vazhduar te tregu i zi, duke siguruar oksigjen, ilaçe apo antiviralë. Të gjitha këto ishin pjesë e një cikli që përshkallëzohej muaj pas muaji, sipas formës që po merrte pandemia e cila po gjunjëzonte globin. Por teksa beteja e parë ishte ajo e sigurimit të gjërave elementare në një kohë “lufte” me të panjohurën, e dyta lidhej me aspekte më të rëndësishme.

Pasiguria nxiti nevojën për të mbyllur ato punë të lëna në mes, procedura të pafinalizuara zyrave të shtetit ku e kishe të vështirë të gjeje administratën. Duke mos e ditur se çfarë drejtimi do të merrte situata, njerëzit kërkuan të siguronin me aq sa mundnin atë që u takonte. Ndjeshmëria u rrit sidomos për pronën. Vetëm pak kohë më parë, kreu i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Artan Lame, theksoi në një intervistë për “Monitor” pikërisht këtë tendencë dhe dyndje në zyrat e ASHK.

Përpos sigurimit të dokumenteve të tokës, të shtëpisë, dyqanit, bujtinës, shumë prej njerëzve zgjodhën të çojnë më tej dëshirën për siguri. Heqja e taksës për dhurimin e pronës brenda familjes nga prindërit te fëmijët për herë të parë apo anasjelltas, si dhe dëshira për të qenë i qetë dhe i sigurt me “punët e shtetit” në një pandemi që s’dihej si do të merrte, rriti në mënyrë të dukshme kontratat e dhurimit. Por si ka qenë marrëdhënia e shqiptarëve me pronën gjatë 2020 dhe 2021 në shifra.

 

Rriten kontratat e dhurimit, në harkun e një viti arrijnë mbi 19 mijë

Në fillim të vitit 2020, qeveria vendosi që të hiqte tatimin për rastet e dhurimit brenda familjes. Ligji i mëparshëm parashikonte pagimin e taksës prej 15% jo vetëm në rastet kur shitej banesa, por edhe në rastet kur dhurohej. Kjo do të thoshte se taksa do të paguhej në çdo rast kur dhurohej brenda familjes, nga prindërit tek fëmijët, mes bashkëshortëve, si dhe mes vëllezërve dhe motrave.

Lehtësimi i kësaj hallke, por edhe pandemia, duket se kanë nxitur shqiptarët që në 12 muaj të nënshkruajnë më shumë se 19 mijë kontrata dhurimi. Saktësisht, sipas të dhënave zyrtare nga Dhoma Kombëtare të Noterisë, nga 15 korriku 2020 – 15 korrik 2021, në sistem rezultojnë 19 158 kontrata dhurimi.(Të dhënat u morën në bazë 12-mujore dhe jo nga fillimviti i 2020-s, pasi hyrja në funksion e sistemit të ri të noterëve u bë në muajt e parë të 2020-s).

Kryetarja e Dhomës Kombëtare të Noterisë, Mimoza Sadushaj, shpjegon se rritja e kësaj kontrate vjen si efekt i heqjes së taksës, por edhe ndërgjegjësimit që ka pasur për çështjet e pronësisë në kohën e pandemisë.

“Pandemia ka ndikuar më shumë te regjistrimi i pronave dhe marrja e dokumenteve të pronësisë apo certifikatës së pronësisë. Për shembull, dikush e ka pasur pronën e regjistruar, por me vërtetim hipotekor dhe nuk ka pasur certifikatë. Ndërkohë që gjatë pandemisë, ka pasur një tendencë që të sigurohet edhe certifikata. Është synuar shumë që të merret dokumenti i pronësisë në variantin final.

Është rritur së tepërmi pjesa e kontratave të dhurimit brenda familjes dhe kjo vjen edhe si efekt i heqjes së tatimit për dhurimin apo për shitjen. Në rastin që prindi, për herë të parë mund t’ia dhurojë fëmijës, nuk paguan tatim dhe kjo ka sjellë rritjen e këtyre kontratave. Pra dhurimet që u janë bërë fëmijëve nga prindërit kanë pasur rritje.

Më parë, kjo ishte e ulët dhe njerëzit preferonin të bënin më shumë testamente, sepse paguanin taksa edhe për dhurimet brenda përbrenda familjes” – pohon Sadushaj.

 

Zyrat e kadastrës shënuan dyndje kërkesash dhe aplikimesh në pandemi

Pavarësisht se ishte një vit pandemie në vitin 2020, aplikimet në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës ishin të larta. Kreu i ASHK, Artan Lame, u shpreh se interesi ishte i gjithanshëm dhe në total ishin 1.1 milionë aplikime.

“Doja të vija në dukje edhe një fenomen që konstatova këtë vit, i cili s’ka të bëjë vetëm me rivlerësimin, por me qasjen e njerëzve për pronën në kohë pandemie. Gjatë gjithë 2020, nuk ranë aplikimet edhe pse njerëzit ishin të bllokuar, nuk lëviznin dot, administrata e stresuar, për arsyet që dihen, prioritetet që ndryshojnë, por sërish mbetën 1.1 milionë aplikime.

Gjykoj që ndër faktorët ka qenë edhe ai psikologjik: “pale çfarë ndodh”. Të gjendur para një dukurie që e kishin parë vetëm nëpër filma, historitë me pandemi e me katastrofa, njerëzit u ndikuan psikologjikisht të bënin dokumentet e shtëpisë. Pra, “të bëj një dokument e ta kem”- do të theksonte Lame. Sipas tij, interesi ishte i lartë edhe për rivlerësimin e pronës një proces që u nis në vitin e kaluar, por u shty deri në fund të këtij viti.

“Rivlerësimi u shty deri në fund të 2021, me logjikën që gjatë vitit 2020, kemi pasur ritëm konstant aplikimesh çdo muaj. Më duket se 3-4 mijë çdo muaj. Fakti që gjithë këta muaj, kjo masë aplikimesh ishte e barabartë nga muaji në muaj dhe nuk erdhi në rënie, tregon se ia vlente të zgjatej, pasi shumë njerëz kanë kërkesa. Nëse do kishte rënie aplikimesh, një muaj 10 mijë e më pas 500, nuk ia vlente të zgjatej afati. Për vitin 2020 janë kryer 58.617 aplikime për “Rivlerësim Pasurie”.

Nga këto, 29.620 aplikime janë të paguara. Diferenca e këtyre aplikimeve ndahet në aplikime të papaguara nga qytetari që janë 12.075; aplikime të patrajtuara nga ana e ASHK që janë 8.116 dhe aplikime të anuluara 8.806. Vlera totale e të ardhurave në Buxhetin e Shtetit për 2020, është 3,77 miliardë lekë” – nënvizoi Lame.

 

Testamentet mbeten me rritje konstante, mbi 5 mijë në një vit

Aktet noteriale të llojit testament kanë pasur rritje të qëndrueshme nga viti në vit, edhe pse kjo nuk është në nivel të lartë. Znj. Sadushaj shprehet se kjo mund të lidhet disi edhe me faktin që tashmë njerëzit zgjedhin që një pjesë të çështjeve t’i zgjidhin edhe me kontratë dhurimi kur kanë mundësi.

Të dhënat zyrtare nga Dhoma Kombëtare e Noterisë tregojnë se në harkun kohor 15 korrik 2020 – 15 korrik 2021 janë regjistruar 5089 akte të tilla të përpiluara në zyrat noteriale, në shtëpi apo është bërë dorëzim testamenti.

“Pjesa e trashëgimisë bëhet pranë zyrave noteriale. Ka kohë që nuk është më në gjykata, si një formë për të lehtësuar qytetarët. Pavarësisht kësaj, gjendja e testamenteve vazhdon normalisht. Ka një rritje e qëndrueshme, por jo shumë të dukshme.

Siç e thamë, dhurimet që u janë bërë fëmijëve nga prindërit ka shënuar rritje. Kjo më parë ishte e ulët dhe njerëzit parapëlqenin të bënin më shumë testamente sepse paguanin taksa edhe për dhurimet brenda përbrenda familjes” – pohon Sadushaj.

 

Botë, COVID-19 ndikoi në rishikimin e testamenteve ekzistuese

Situata e pandemisë që dha efekte të menjëhershme në tregje dhe ekonominë globale ndikoi në mënyrë zinxhir edhe te bizneset dhe ekonomitë familjare. Një pjesë e kryefamiljarëve janë bërë më të ndjeshëm për të ardhmen që po u linin të afërmve, ndaj kanë rishikuar testamentet.

Një artikull i Financial Review, në Australi, nënvizonte pikërisht këtë tendencë. Melissa Yates, avokate me Ward Keller, thotë se ka pasur një rritje prej 30% të numrit të atyre që kanë bërë testament, të cilët ndryshojnë testamentet e tyre, pasi COVID-19 vazhdon të kërcënojë jetën dhe pronën. Në vende si Darvini, ku çmimet e pronave kishin rënë më shumë se 30% para pandemisë, pronarëve të mëdhenj të tokave u është dashur të ndryshojnë testamentet që ishin shkruar në kulmin e tregut.

“Duke u mbështetur në vlerat e pronës që ishin më të larta se tregu, ishte i gatshëm të paguante, u krijua një çështje pabarazie në raport me atë që do të merrnin përfituesit. Ne rishikojmë testamentet me klientët për të diskutuar ndryshimet që mund të përmirësojnë shpërndarjen e drejtë” tha Yates.

Bloomberg, nga ana tjetër, publikoi në fund të vitit të shkuar një shkrim mbi testamentet. Edhe pse e dhimbshme, COVID-19 solli humbje të papritura në jetën e njerëzve të afërt për shumë individë dhe në rastet kur nuk kishte një testament, gjetja e një zgjidhje kur rastet ishin të ndërlikuara me pronësi dhe kredi u kthyen në makthe. “Pa testament, familjet e viktimave nga COVID-19 përballen me makthe ligjore” – ishte titulli i shkrimit të Bloomberg.

“Vetëm rreth një e treta e amerikanëve kanë një formë të planifikimit të pasurisë, duke i detyruar ata që kanë lënë pas në ndjekje të një procesi burokratik të frikshëm. Me një numër vdekjesh në SHBA nga Covid që kalon 200,000 (shkrimi është publikuar në tetor 2020 dhe shifrat i përkasin asaj periudhe), çështja mund të prekë potencialisht dhjetëra mijëra familje” – thuhet artikull./Monitor

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: