Buxheti i viti 2022 në sektorin e shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale është përqendruar në shtresën vunerabël dhe në nevojë të shoqërisë si dhe në rritjen e pagave për punonjësit shëndetësor.

E ftuar në “Kjo Javë” me Nisida Tufën, ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu është shprehur se përveç rritjes së ndihmës ekonomike do të jenë 15 mijë familje në nevojë të cilave do u trefishohet ndihma ekonomike.

Po ashtu punonjësit e sistemit shëndetësor do të përfitojnë nga ky buxhet rritjen me 6% të pagës. Manastirliu tha se do të vazhdohet edhe me investimet e nisura dhe për çdo skenar ka nga një plan.

 

Dua ta nis me buxhetin sepse bëhet fjalë për mbledhjen e qeverisë. Është miratuar buxheti i ri për shëndetësinë dhe është mjaft e rëndësishme. Si prioritet i financimit a ka një rritje për buxhetin për shëndetësinë?

Ateherë unë doja të ndalesha në të dy sektorët që mbulon Ministria e Shëndetësisë. Në tërësi buxheti i viti 2022 që qeveria ka miratuar dje pas një pune vërtet voluminoze për të identifikuar dhe për të adresuar të gjitha nevojat e sektorëve, ne kemi  vendosur që të kemi një rritje të mburojës sociale dhe gjithashtu një konsolidim në rritje për sa i përket buxhetit për shëndetësinë duke adresuar padyshim pandeminë por edhe duke vijuar me investimet e reja në  shëndetësi. Dua të ndalem tek mbrojtja sociale, tek ata që kanë më shumë nevojë dhe që janë përfitues të paketës tonë sociale dhe ndërkohë përfitojnë nga programi ynë i ndihmës ekonomike. Qeveria  ka vendosur të rrise masën e ndihmës ekonomike për familjet përfituese të ndihmës ekonomike me 10%. Ndërkohë që do të ketë një politikë për shenjëstruar për rreth 15 mijë familje që pas vlerësimit janë identifikuar me karakteristika ekonomiko-sociale që duhet të mbështeten më shumë dhe janë pikërisht familjet që kanë mbi 3 fëmijë deri në moshë 18 vjeç që janë pjesë e përfituesve të ndihmës ekonomike të cilëve do t’u dyfishohet ndihma ekonomike. Ndërkohë që janë disa kategori që përfitojnë nga programi social që janë fëmijët jetimë, gratë e trafikuara dhe të dhunuara të cilave si kategori do t’u trefishohet ndihma ekonomike. Kjo është paketa me politika që prek të gjitha familjet me ndihmë ekonomike, por edhe me politika të shenjëstruara për kategori që vlerësohen që duhen të mbështeten akoma më shumë nga buxheti i shtetit. Patjetër që shëndetësia ka fokusin e vet dhe buxheti i shëndetësisë vjen me një  buxhet të aplikuar për rritjen e vaksinave duke iu përgjigjur të gjithë skenarëve që mund të ketë dhe që mund të na sjelli viti tjetër. Pra do të  garantojmë furnizimin me vaksina në bazë të planit tonë kombëtar dhe duke përfshirë edhe dozën e tretë të vaksinës që u miratua edhe nga Komiteti i Ekspertëve dhe sigurisht edhe hapjen e  grup moshave të vaksinimit. Ndërkohë që  edhe një tjetër politikë e re, por tashmë e konsoliduar në vijim të mbështetjes së mjekëve, infermierëve dhe atyre të cilëve në fakt përgjatë këtyre viteve kanë treguar se dinë të punojnë me shumë përkushtim dhe profesionalizëm, por që ne e kemi mbajtur këtë zotim për rritjen e pagave përgjatë gjithë këtyre viteve, por edhe gjatë vitit 2022 do të ketë një rritje pagash për mjeket dhe infermierët me 6% duke filluar nga 1 korriku. Personeli shëndetësor në rang vendi.

Pra ne jemi të përgatitur me këtë buxhet për çfarë do lloj situate që mund të na ofrojë një e papritur?

Patjetër. Sipas skenarëve ne kemi një plan me të cilin ecim. Është plani 2-vjeçar për  sa i përket impaktit Covid dhe post-Covid dhe ecim edhe me projektbuxhetin afatmesëm i cili parashikon të gjitha tavanet buxhetore të ministrisë duke parashikuar edhe skenarë të ndryshëm. E rëndësishme është që buxheti jo vetëm që financon politikat e nisura  gjithashtu edhe shpenzimet për ente dhe programe të reja, por hap edhe politika të reja, programe të reja për mbështetjen e grupeve në nevojë dhe garantimin e shëndetit publik.

E nisëm me vrull këtë bisedë me buxhetin sepse është e rëndësishme për ecurinë më tej edhe si lajmi më i fundit. Dua t’ju pyes, që pa u shpallur emrat e kabinetit qeveritar kishte një perceptim se ju do të ishit përsëri ministre, do të ishit përsëri e zgjedhur nga ana e kryeministrit edhe pse kabineti qeveritar pati ministra që nuk lëvizën, mbajtën postet e tyre. Do të doja një koment se pse ishte ky perceptim për ju? Sepse ishte pandemia dhe puna juaj doli më në pah? Keni bërë një punë të mirë dhe për këtë patët ehe vlerësimin e kryeministrit?

Unë besoj se ky është një vendim që është marrë nga kryeministri për ato detyra të kryera dhe për të çuar përpara dhe për të ngritur në një nivel të ri më të lartë qoftë sektorin e shëndetësisë por gjithashtu edhe sektorin e mbrojtjes  sociale. Nuk mund të flas për perceptimin e publikut se padyshim që ajo çfarë është bërë nga i gjithë ekipi i atribuohet punës që kanë bërë mjeket dhe  infermierët të cilët kanë punuar me përkushtim dhe që kanë shërbyer për qytetarët. Nga pikëpamja personale të shërbesh për vendin tënd është një privilegj i madh dhe padyshim që ndihem jo vetëm e privilegjuar dhe me shumë përgjegjësi për ta çuar këtë punë përpara dhe patjetër për të vijuar impenjimin maksimal për të punuar qoftë në një situatë si kjo e pandemisë por pa harruar edhe strategjinë në punën në sektorin e shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale.

Puna për ju si ministre pati edhe situatën më të vështirë, kalimin e pandemisë që në fakt e kemi prezente. Dua të qëndroj në planin personal edhe me një pyetje. Sa e vështirë është për ju sepse orët janë numerikë, të gjata për çdo ditë pune. Sigurisht ju thatë prioritetet tuaja, por nga ana tjetër jeni edhe familjare. Sa afër dhe larg familjes jeni me këtë situatë kur nuk dihet se çfarë sjell e nesërmja?

Për të thënë të vërtetën dhe unë  në këto intervistat kam qenë shumë e fokusuar në planin e punës. Me planin e aktualitetit. Jam përpjekur të gjej një ekuilibër me punën dhe familjen gjithashtu si pjesë  të jetës time, puna. Familja është pjesa më e rëndësishme dhe jam pak në borxh me ta. U bënë 8 vite sepse në 4 vitet drejtuese e QSUT-së impenjimi ishte njësoj i rëndësishëm edhe përtej orarit zyrtar. Unë nuk di të punoj në këto oraret zyrtare, jo se nuk di të menaxhoj kohën por se në këtë sektor t dhe kushdo është  i përkushtuar dhe impenjuar për të dhënë të gjithë orët e ditës madje duke marrë edhe nga koha personale për të shërbyer. Nuk e shoh dot këtë diferencim. Koha që i kushton vetes.  Edhe kur jemi në familje përpiqem t’u përgjigjem gjërave të punës ashtu sikurse vendos ekuilibrin që koha që shpenzoj me familjen të jetë e shpenzuar në mënyrë cilësore. Për të thënë të vërtetën kam patur  edhe një mbështetje shumë të madhe nga familja ime, gjë që  besoj se e ka kompensuar deri diku. Vajzat janë në një moshë që kuptojnë madje janë pjesë e atyre shqetësimeve dhe shumë mbështetëse për punën.  Si të gjitha nënat që e kalojnë pjesën më të madhe të kohës në punë e ndiejnë që kanë lënë diçka pas. Por modeli që transmetojmë tek fëmijët është modeli i punës, modeli që shërben dhe që ka përgjegjësinë për të çuar punët përpara. Mendoj se edhe nga kjo pikëpamje fëmijët mësojnë.

 

(BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb