Tragjedia “Elektra” e Sofokliut është një nga rrugëtimet më të vështira nëpër tunelet dhe labirintet e psikës njerëzore. Nisur nga teksti i tragjedianit të famshëm e reformator, Elektra është bija e braktisur dhe e poshtëruar prej të ëmës, Klitenmestrës, e cila ka vrarë të shoqin, mbretin e Spartës, heroin e Trojës, Agamemnonin, për ta ndarë kurorën me të dashurin e saj, Egistin. E braktisur, e dëbuar, e pafat, jashtë mureve të qytetit, Elektra e ka mbushur shpirtit përplot pezm e vrer. Të vrasësh nënën, sigurisht është një nga krimet më të tmerrshme, më të pafalshme të njerëzimit, por që në vetëdijen e grekëve qe i domosdoshëm për t’u kryer. Sepse hierarkia sociale, politike, madje familjare e tyre mbante në majën e piramidës mbretin, atin, burrin. Pra, një shoqëri të ngritur mbi parimin mashkullor, mbi sundimin e linjës së gjakut ndaj asaj të qumështit. Prandaj dhe vrasja e nënës prej Orestit, në mitin gjegjës, u përligj nga vota pro e hyjneshës Athinë duke legjitimuar kështu pushtetin e paprekshëm të mbretit ndaj mbretëreshës, të burrit ndaj gruas e më tej. Edhe Elektra kishte të drejtë të hakmerrej ndaj nënës së vet, pasi ajo kishte pushuar së qeni e tilla derisa kishte tradhtuar shtratin bashkëshortor, derisa “prostituonte” tinëzisht me Egistin dhe së toku patën komplotuar që të vrisnin Agamemnonin për të rrëmbyer pushtetin.

Kjo tragjedi ka pasur dy inskenime serioze tek ne. E para nga Teatri Kombëtar me Liza Xhuvanin si Elektra; një lojë e fortë prej saj, një shpirt i ndrydhur nëpër vite nga pamundësimi i lirisë dhe e drejta e cunguar (në linjën e gjakut), protektore e të drejtës së atit të therur pabesisht nga e shoqja. “Elektra” e teatrit “Aleksandër Moisiu”, me regjinë inventive të regjisorit Laert Vasili, ishte tjetërfarë. Mund të them se ishte një eksperiencë e re në disa kahe, e modelit strukturalist a konstruktivist, ku e ku më larg tipologjisë teatrore, le ta quajmë të “mimesisit”, por e modelit të “poesisit”, çka u vu re në trajtimin e vendosjes skenike, gjestit dhe aktrimit. Shkurt, një teatër me shtresime të forta simbolike.

Një “Elektra” e tretë na erdhi së fundmi nga optika e regjisorit Kiço Londo në teatrin shëtitës “Çajupi”. E para gjë që dua ta them është ngulmi, pasioni dhe përkushtimi i këtij regjisori, duke mbajtur në këmbë një teatër privat, me disa shfaqje, komedi e drama dhe duke i rezistuar trysnisë së pamëshirshme të tregut. Unë pash një “Elektra” që dëshmoi, veç të tjerash, edhe këtë pasion. Teksa ndiqja lojën e Laura Nezhës në rolin e protagonsites, urrejtja e saj ishte e hapur, shkatërruese, ardhur si konflikt i ballëpërballshëm dhe lehtësisht i rrokshëm nga publiku. Ishte bija dhe bija e fyer, e nëpërkëmbur, që kishte humbur thuajse gjithçka, qetësinë shpirtërore, dinjitetin, te drejtën, gjer edhe bukurinë fizike. Regjisori e ka trajtuar “njerëzisht” atë, ca më bindshëm e bën këtë aktorja Laura Nezha.

Ajo dha shpirtin e trazuar të Elektrës, duke i risemantizuar të gjitha këto me poshtërimin dhe lëngatat e njeriut të sotëm, falë një loje që ndiqte në përgjithësi parimet “klasike”, një qasje të fortë psikologjike, sa më të besueshme.
Pesha e aktores te kjo shfaqje ishte një mbingarkesë fjalësore thuajse si e një monodrame, çka kërkonte energji dhe zhbirilime psikike. Laura u përballë fort me fjalën, i dha frymë e shpirt asaj, duke e shndërruar, në të shumtën, në një veprim të rrëmbyeshëm psikik. Ndonëse zëri i saj ishtë paksa i brishtë për një tufan si Elektra, fuqia e brendshme e saj e sjellë në parametrat e një zemre të plagosur dhe një ndjeshmërie që shpesh shoqërohet me trishtim e melankoli. Elektra e Laura Nezhës përcolli te ne dhimbjen tmerruese, që i gjegjej kahut tragjik, por këtë ajo nuk e bëri përmes impostimeve të tonit të lartë dhe “ulëritës”, përkundrazi, edhe pse pa e ulur temperamentin shpërthyes mbushur me dufe e shfryrje zemërimi të drejtë, ajo sikur e zhveshi petkun mitik të hakmarrjes së verbër dhe e bëri personazhin e saj një vashë gati të “plakur” e të përbuzur, që sikur dilte nga vetë mjediset tona sociale. Nga pikat më të larta të lojës së saj ishte lajmi i kinse vdekjes së Orestit dhe më pas ekzaltimi i “rinjohjes” me të.

Më duhet të them se koncepti regjisorial i Londos nuk kishte, të themi, një prani të fortë të “teatrores” në kuptimin e gjuhës së konvencioneve të shfaqshme haptazi, ato konstruktiviste, thuajse të ashpra, ku shumëçka shndërrohet në shenjë e semantikë të shumëfishtë. Nga tri parabolat ngjethëse të grekëve të lashtë mbushur plot ankth e tmerr (ajo e vëllavrasjes tek tragjedia “Të shtatë kundër Tebës” e Eskilit, ajo e atvrasjes tek tragjedia “Edipi mbret” e Sofokliut dhe ajo e mëmëvrasjes tek “Elektra” e Euripidit dhe Sofokliut), kjo e fundit erdhi nga një tjetër përthyerje. Nga kjo shfaqje spektatori kishte se çfarë mësonte nga pikëpamja e trajtimeve skenike të teksteve të tilla “sakrale”, ku e vjetra i flet të resë dhe e shkuara të sotmes. Edhe unë, ndonëse kritik i teatrit dhe, mund ta them, edhe njohës jo i keq i vetë kësaj tragjedie, përftova jo pak emocione. Ky tekst brilant erdhi i përkthyer në një shqipe të rrjedhshme nga Lorena Pleqi. Përftova një farë ngazëllimi në shpirt nga mënyra origjinale, forca, begatia e përfytyrimit, nga gjuha dhe stili, nga fuqia e vegimit dhe energjia psikike e çliruar prej aktorëve kryesorë, posaçërisht nga tre rolet më të realizuara: Laura Nezha si Elektra, Alert Çeloaliaj dhe Gladiola Harizaj.

Interpretimi dinjitoz i Çeloaliaj në rolin e mikut të familjes, solli një qasje të veçantë me monologun e rrëfimit të gjoja vdekjes së Orestit, duke ruajtur sa karakterin e këtij personazhi, aq dhe larminë intonative të rrëfimit. Me lojën e Gladiolës përftova ngërçin e shpirtit të një gruaje vrastare si Klitenmenstra, ku ndjeva një damar të fortë dramatik, i përthyer më së shumti përmes cytjeve të hakmarrjes ndaj të shoqit, Agamemnonit, që pat therur bijën e tyre të pafajshme, Efigjeninë, duke ia blatuar si flijë zotave me qëllim që flota greke të lundronte drejt deteve për në Trojë. Edhe pse diku meskine, e përbuzshme dhe perverse, aktorja nuk la pas dore edhe spikamën e një nëne të lënduar, e një gruaje të frikësuar dhe e një mbretëreshe hakmarrëse. Them se kështu është respektuar ai drejtpeshim dhe ajo paanësi që Sofokliu tregon me paraqitjen e personazheve; jo vetëm bardh e zi, por në fajet dhe pafajësinë e tyre, në të drejtën dhe të padrejtën, të cilat lëvizin, alternohen dhe tejkalohen. Lanë mbresë edhe aktorët e tjerë në rolet e tyre si Denisa Demaj, Kevin Rapaj, Gert Ferra, Engjell Hoxha etj.

Shfaqja më ngacmoi me pjellorinë e ideve të saj duke më ftuar të meditojë, të bisedojë gjatë me veten në një dialog përherë të pllenshëm, për të kuptuar mekanizmin se si dhe pse këto vepra të madhërishme të tragjedisë greke funksionojnë aq bukur edhe sot në shoqëritë postindustriale, pra dhe në shoqërinë shqiptare? Cila është ajo filozofi që i bën këto vepra të reja, që jua heq zhguallin e mijëravjeçarëve, që konvencionet e vdekura të teatrit antik grek ribëhen njësoj aktive dhe domethënëse edhe në gjuhën e teatrit modern. Një histori e vjetër kjo e Elektrës, por ja që ajo vjen te ne edhe sot me plot dritë, e freskët, si një kurm i bukur virgjëreshe. Ndonëse jo si mesazh kryesor apo kryeide, te shfaqja e Londos përveç hakmarrjes dhe rivendosjes së të drejtës me vrasjen e Egistit dhe Klitenmestrës nga dora e Orestit, nga ana tjetër aty ti dallon edhe kumtin për reflektim që vrasja, më në fund, të resht. Për të gjithë ne, që hakmarrjen e duam si ushqim për vrasje, si shpëtim, në fakt, hakmarrja s’është veçse rifillimi a ciklimi i krimit. Pafundësisht. Regjisori i ka mëshuar idesë: “Ai që vret, do të vritet”, siç thuhet në Librin e Shenjtë. Përpos fajësimit që Sofokliu i bën Klitenmestrës, nuk e lë krejt jashtë fajit edhe Elektrën.

Oresti nguronte ta vriste të ëmën, por vetëm Egistin si rrëmbyes i fronit të të atit. Mirëpo mëmëvrasja e tij s’ishte veçse thika që iu ngul në fyt Klitenmenstraës, pasi dora që e drejtoi dhe i mëshoi asaj thike qe vetë Elektra. Ajo ndjehej e braktisur, e përjashtuar, mbushur plot mllef ndaj të ëmës që e kishte flakur tej pallatit, pa privilegjet e ardhura nga mirëqenie, pushteti etj. Gjithsesi, vrasja si e tillë, me tmerrin tragjik që ka, si ajo e Klitenmestrës e sidomos ajo e Egistit, mund të ishte skenikisht më e pastër dhe më e kuruar. Po ashtu Kori mund të mizanskenohej në një formë disi më energjike e të variueshme. Skenografia qe minimaliste, ndoshta ato platforma prej drunjsh duhej të funksionalizoheshin më tej, qoftë dhe për vendosjen e Korit…

Çdo tragjedi nga grekët e hershëm e sjellë në skenën shqiptare shënon një ngjarje, sepse t’u qasesh atyre luan njëhertit sa me madhështinë, suksesin, aq dhe me dështimin, “hiçmosgjënë”; je i pranueshëm sa dhe i refuzuar, ndjehesh mirë sa dhe keq. Ato janë tashmë tekste të “sakralizuara”, pra struktura të mbyllura e rrumbullakësuara.

Të vetëmjaftueshme. Kanë komunikuar dikur me një kohë të gjallë, sot të vdekur, por po aq ato kanë brenda vetes thelb etern, universal, gjithëkohor. Për këtë shkak edhe shfaqja “Eletra” u pëlqye dhe u duartrokit nxehtësisht nga spektatori i kohës sonë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: