E artit të zanafillave. Kur njeriu, pasi shpiku mitet dhe fenë, magjinë dhe ritualin, fjalën dhe tingullin, vallen dhe lojën, krijoi një “agorë” tjetërlloj, me simbiozat e habitshme: përvojë-filozofi, ndjeshmëri-meditim, veprim-afektim, magji-njëmendësi, narrativë-ligjërim poetik. Sidomos për artistët e rinj që gatuajnë shfaqjet e tyre dhe rrugëtojnë me një shpirt ëndrrash, DITA E TEATRIT është një shpresë, një thirrje për të vazhduar udhën. Por edhe për ne, të vjetrit, kjo ditë na grish drejt moshës së ëndrrave të dikurshme dhe kujtesave tona të ëmbla.

Une shkela te vendthi i ëndrrave dhe hipnozës, që quhet SKENË, qysh në vitin e dytë gjimnaz, në një qytet të vogël, të butë, plot diell e me det, Sarandë. Nuk më shkonte ndër mend se jeta ime do të ecejakej më pas këtij Labirinti Ptolemejan siç është skena, teatri, tjetërsimi i qenies, efekti hipnotik. Por ja, fati dhe ajo që s’e kemi në dorë me krodhi bash asaj pyllnaje, në kryeherë si aktor e regjisor e më pas si kritik: në ate çka e derdha, më së shumti, vetveten – vullnet, pasion e qëllim. U bëra një murg i devotshem, me një pendë në dorë, dhe qindra fytyra, role, shfaqje, artistë, qe me rrinin para syve të memories, pa i kursyer vlerësimet dhe emocionet e bukura që ma begatuan mendjen, shpirtin, jetën.

Gjithë aktoret, por dhe amatorët e teatrit që janë ngjitur skenës duke derdhur aq shumë dashuri, kanë diçka nga ai dashnori i thekur, hundëmadhi, por i tëri poetiku: Sirano de Barzherak. Them se jemi të gjithë ne, të dashuruarit pas teatrit, nga pak Sirano. Shpirtra poetikë, që në mbrëmje mblidhemi në shtëpitë tona, me gratë dhe të dashurat tona, me femijët dhe familjet tona, të lodhur nga shëmtia e ditës, shpinëkërrusur nga hallet, nga fshikullimet e mërzive, dështimeve, mërive. Por sa lind dielli rishtazi marrim pak dritë nga poezia, ëndrra, arti, skena.

Dhe rifutemi në magjinë e teatrit, për të ftuar në seancat tona “spirituale” mijërat e spektatorëve, në një dialog sa të perëndishëm aq dhe njerëzor; sa si trill aq dhe i vërtetë. Politikanët mund të mbledhin në një ditë disa mijëra të dëshpëruar dhe t’i lëshojnë shesheve si ushtri të keqpërdorura për pushtetin, lavdinë, egon dhe paratë e tyre. Në djall vafshin! Por teatri, artistët e tij, i ftojnë njerëzit në shfaqjet e tyre, me dhjetëra mijëra, jo duke i fshikulluar me urrejtjet mazohiste prej De Sad-ësh, përkundrazi duke i ftuar në një seance bukurie, kënaqësie, përshpirtjeje për të vdekurit dhe vuajtjet, për një çlirim nga e keqja, për urtësi e mençuri, për katarsisin e tyre ngushëllues.

Ky është TEATRI.

Rroftë teatri!

Dhjetëra mijëra njerëz entuziastë ia paguajnë me qejf biletën teatrit, kënaqësisë që ai iu jep, ndaj dhe e duartrokasin me ashk. Një lider, parti a gjithkush tjetër, që i manipulon dhe i ndezullon turmat për pushtetin e vet, jo që nuk paguhet, por i paguan të tjerët (me para, privilegje, favore, poste, vende pune), që ta duartrokasin. Ata shpejt harrohen, artistët jo.

Teatri si art është bukuri. Teatri si politikë eshte shëmti. Teatri është art i gjallë. Sa të ketë aktorë që të frymojnë në skenë e në çdo shesh para njerëzve, TEATRI do të jetojë.

Por miq, teatri nuk është një xhingël. Nuk është vetëm për të giciluar, as vetëm për të ngacmuar gjendrat e lotit, siç shpesh bëhet në mjaft shfaqje, ku mesazhet dhe ndjenjat e thella njerëzore mbulohen nga idiotësi, farfuri dhe rëndomtesi. Nuk i duhet hequr teatrit KATEDRA, sepse pa “katedrën e jetës” ai katandiset në një llafazan dhe përgojues të pacipë, siç e katandisin të pa aftët, cinikët, snobët dhe mburravecët.
TEATRI ËSHTË NJË LAVDI E/ME/PËR NJERËZIT!

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: