…Sepse kam një ndjenjë strukjeje kur është fjala për të folur mbi gjëra të shenjta, për shembull: Atdheu-Shqipëria-Kombi-Populli shqiptar. Ose Kosova-Liria-Pavarësia. Le ta bëj shtypi, media, ekranet, historianët, them me vete, madje edhe gjithollogët a llafollogët (domethënë analistët në gjithçka e për gjithçka!). Le ta bëjë politika! Por ja, si ajo shkrepëtima e vetëtimës tek hyn reve dhe i flakëron, një të tillë vegim më dha kjo foto kaq e kuptimtë: një thuajse foshnjë e ngritur në këmbë, Azalea, i shkon të atit oficer policie, Kastriotit, dhe e sheh në dritë të syrit. Duket sikur e nderon. Magjike! Tejkalon çdo simbol, shemb mijëra libra, sfidon mijëra këngë, përgjunj miliona imazhe. Dhe kjo çupëlinë aq e bukur, aq fisnike, me atë qëndrimin e saj para të atit, i bën pluhur e hi gjithë vetëlavdërimet, mburrjet, gjoks-rëniet për atdheun. Sa e dëlirë është! Dhe sa e madhërishme. Sa sublime!

Kjo foto ma bëri shpirtin prush, futi tek unë gjithë flladet. Dhe në epathinë që tash këto dekika po përjetoj, teksa shfletoj Facebook-un me sytë ngulur te kjo foto e mrekullueshme, më duket sikur ajo po më ngre lart, dhe andaj dua të them dy fjalë. Dy fjalë të thjeshta. Ndjesë për tonin paksa të “trëndafiltë”, por gonxhe trëndafili qenka kjo Azalea, trëndafil është krejt Kosova…
Kosovë, ti ke qenë brenda meje që fëmijë. Paçka se unë jam nga Saranda, bir i detit, përballë ishullit të Korfuzit dhe popullit mik grek e ti diku lart në veri, në kurrize malesh, ti je indi im. Indi im sepse koha kur jetova para viteve ’90 ma nguli emrin dhe historinë tënde në shpirt dhe në eshtra, qysh në gjimnaz me rrëfenjat dhe legjendat e tua, me tragjedinë tënde dhe historinë e kryengritjeve, betejave, heronjve. Ti ishe djepi i shqiptarizmës. Dhe je. Sidomos me demostratat e vitit 1981, që ne, brezi im, i përjetuam aq dramatikisht, dhe qemë gati për të marshuar drejt maleve të tua si ushtarë nëse do të ishte nevoja, besomë! Kush na gatoi me këtë dashuri për ty kështu vallë?! Mbase ma ngulën atë imazhet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, jo në pikturat e shumta nëpër ekspozitat tona e kudo, as vetëm te fotot, albumet, tekstet, poezitë, por nga gjithë historitë e treguara e të lexuara. Dhe pas vitit 1990, kur Federata Jugosllave u shemb dhe nga rrënojat e saj serbët rrekeshin të mblidhnin copërat e kinse perandorisë përmes tankeve e gjyleve, masakrave në Bosnje, luftës në Kroaci etj., ankthi këndej nga ne, Shqipëria e hallakatur, u rrit. Ndonëse në kaosin e ’97-ës dhe pragun e luftës civile, ne prisnim lajme prej teje, ndiqnim rrugëtimet e Ibrahim Rugovës me misionin e tij të shenjtë, pastaj dëgjuam për Adem Jasharin, dhe mua mendja m’u përflak teksa pash një dokumentar, ndofta anglez apo amerikan të BBC: djemtë e Kosovës, luftëtarë të UÇK nuk i përmbante dot më askush në betejat për dëbimin e serbëve nga trojet shqiptare. Dhe kur filluan përgjakjet e shkrepi Lufta, si finalja e rroposjes së kësaj “perandorie” zhytur në gjak e krim, edhe pse të gjendur mes rrëmujërave tona, ku një mashë e huaj trazonte prushet e përçarjeve dhe urrejtjeve, në ishim sy e vesh te ty Kosovë, sy e veshë nëpër ekrane, sy e vesh mbi gazeta e lajme. Ne dëgjonim avionët e NATO-s mbi qiellin e Tiranës tek shkonin reljevit tënd të përgjakur.
Kur për herë të parë preka tokën tënde, ardhur me një grup profesorësh e studiuesish të Akademisë së Shkencave në shtator 1999 në një simpozium shkencor të përbashkët midis studiuesve shqiptarë andej e këndej kufirit, tashmë si një trup e Atdhe i përbashkët, zjarret ende digjnin trarët e çative. Kudo shkrumb. E kam në sy imazhin e shtëpive të shqyera nga gjylet dhe të djegura nga flakëhedhëset teksa hymë në Kosovë nga ana e Tetovës. Dhe më pas ne udhëtuam me një autobus qytet më qytet në gjithë vendin. Tmerr. Një masakër e paparë kishte ndodhur. Dhëmbët e raprezalies dhe gjenocidit serb kishin kafshuar fshatrat dhe qytetet e tua Kosovë, kishin zjarruar dyshemetë, dritaret dhe kolonat e shtëpive. E megjithatë, ani pse dhembja therrte tek shihnim masakrën, seç kishim një ngazëllim brenda nesh se bisha ishte larguar, kishte futur bishtin në shalë; se ishim të lirë, se “ditë të mira paskëtaj vijnë”, siç thoshte profeti ynë, Naim Frashëri.
Dhe qysh në vitin 2000 Akademia e Arteve e Shqipërisë lidhi marrëdhënie me Universitetin e Prishtinës, Fakultetin e arteve, për marrëdhënie universitare, shkëmbim e njësim programesh. Aty njoha një njeri të ditur, një njeri fisnik, një njeri të madh, një profesor të mençur me emrin Nebi Islami, që e njihte nëpër gishta historinë e tokës dhe popullit të tij. Ishte dekani i atij fakulteti, këtu në Shqipëri detyra e tij qe e barazvlershme me rektorin. Një dashuri e madhe na lidhi tok. Dhe u bëmë miq për kokë. Të shenjtë e kam atë miqësi sot e sa të marr frymë. Unë nisa të jap leksione te studentët e artit në atë fakultet. Njëzet vjet e bëra rrugën Tiranë-Prishtinë-Tiranë dhe kurrë nuk u lodha, nisesha në 6 të mbrëmjes dhe arrija në Prishtinë në 6 të mëngjesit, 12 orë rrugë (rruga e vjetër e Qafë Malit), në acar e akull. Kaq shumë miq zura në Kosovë. Njëzet vjet as u lodha, as më lodhën, përkundrazi ndjehesha si në familjen dhe shtëpinë time aty. Kosovarët dinë të respektojnë. Ata u shtuan edhe më shumë qytet më qytet nëpër festivalet teatrore që zhvillonim. Pvrherë e kam vlerësuar respektin e tyre, dashurinë. Kjo më ka prekur e më prek.
Krahas Nebi Islamit dhe familjes së tij të mirë (djemve, vajzës dhe dhëndërit), njoha profesorin e arteve pamore Hivzi Muharremin, që nuk nginjet nga jeta dhe nuk e pranon pleqërinë duke dhënë ende leksione nëpër auditore andej e këndej hapësirës sonë, djalin e tij Ilirin, pedagog, shkrimtar e studiues; njoha të ndjerin poetin dhe dramaturgun e shquar Teki Dervishi, ish drejtor i Teatrit Kombëtar, për 24 dramat e të cilit kam shkruar gjatë, njeri me dritën e Perëndimit në zemër; njoha poetin, kritikun dhe eseistin e shquar, të ndjerin Ramadan Musliu me të cilin kam bashkëpunuar aq shpesh në gazetën Rilindja, pastaj profesorin e nderuar të letërsisë Isak Sheme, regjisorin e mençur, një at i teatrit shqiptar në Kosovë, profesorin Fadil Hysaj dhe bri tij dramaturgun e shquar, gazetarin, diturakun dhe regjisorin Haqif Mulliqi që na la ca kohë më parë; njoha kineastin dhe regjisorin Agim Sopi, profesorin modest dhe regjisorin Agim Selimi, profesoreshën e nderuar Miradie Ramiqi, mike e shtrenjtë që e çmoj shumë, poete, piktore e pedagoge, grua e emancipuar e asaj hapësire; njoha aktorin e shquar shqiptar në Kosovë e dikur në Beograd Enver Petrovci, për të cilin shkrova dhe një monografi plot përkushtim e nderim, por që mbeti rrugëve për ndoca meskinitete, e që gjithsesi do t’ia gjejmë shtegun e humbur të dy së shpejti; njoha aktorin dhe shpirtin e madh Faruk Begolli, me dritën qe ende lëshon aty, në qiellin e shtatë; njoha të ndjerin skulptor Luan Mulliqi, skulptorin tjetër Adem Rusinovci dhe shumë artistë të penelit dhe daltës; njoha aktorët e shquar të teatrove të Kosovës si Hadi e Jahja Shehu, aktorin e ndjerë Xhevat Qorraj që më nderonte aq fort, mëpastaj dramaturgun e shquar dhe regjisorin Ekrem Kryeziu, dramën e famshme të të cilit “Epoka para gjyqit” me trupën e teatrit të Gjakovës e pata parë në Sarandë në vitin 1979 ose 1980; njoha artistin dhe profesorin e aktrimit Mentor Zymberaj, me aq shumë çmime nëpër botë dhe plot hir poetik e dramatik në skenë, regjisorin dhe kritikun Agron Gërguri, aktorin e mrekullueshëm Ismet Azemi, një nga brilantët e teatrit të Kosovës, aktoren dhe regjisoren Drita Begolli; njoha Myrteve Kurtishin, Jashar Shahiqin dhe të ndjerin Muharrem Sulejmani, Naser Zymberin, Ramadan Kurtin, zonjën fisnike Merjeme Berisha, aktoren e talentuar Aurita Agushi, aktorin që di të transformohet aq bukur nga roli në rol Ardian Morina, dhe pastaj Ylber Bardhin me groteskun dhe humorin e tij të veçantë, Xhejlane Godancin e shumë të tjerë; preka me dorë rritjen e dramaturgut dhe regjisorit Naser Shatrolli, sot një nga artistët në zë; pash rritjen artistike të mjaft prej studentëve të mi, ndër ta nga më të spikaturit Jeton Neziraj, që sot me guxim dhe mendjehapje ka kapur skenat evropiane të teatrit, dhe bri tij të shoqen, regjisoren inventive e sfiduese Blerta Neziraj; njoha regjisorët Esat Brajshori, Ilir Bokshi, Kushtrim Bekteshi. Sa shumë aktorë e artistë të mrekullueshëm kam njohur në Prishtinë dhe qytetet e tua, Kosovë!
Por kam qejf të veçoj disa syresh, që më kanë hyrë thellë në zemër, sepse me ta, përpos artit, bashkëpunuam së toku edhe në mbrojtjen e doktoraturave të tyre. E ndër ta është Hazir Haziri, aktor filmash, sot dekan i Fakultetit të Arteve në Universitetin e Prishtinës, njeri që e kam dashur në kryeherë qysh student, me urtësinë dhe kthjelltësinë e tij që të fton shpenguar të hysh në sallonet e shpirtit papra; pastaj poeti, regjisori dhe profesori Emin Emini, grafisti dhe dizajneri Zeni Ballazhi, që ka bërë edhe emblemën e moderuar të shqiponjës në 100 vjetorin e Pavarësisë; dizajnerin Rezeart Galica, djalin e mikut tim të shtrenjtë e fort të respektuar, profesorit të letërsisë Shyqiri Galica, kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës.
Sa shumë emra, sa shumë miq kam në Kosovë! Do doja të flisja për të gjitha ata. Por le të nënkuptohet se po këto fjalë dashurie, respekti, miqësie kam edhe për ata, që pena, në vrap e sipër, i la pa përmendur. Ani! Dhe duke i përqafuar të gjithë, të gjithë, më duket se kam përqafuar edhe KOSOVËN.
Dritë udha jote Kosovë, e gëzofshi pavarësinë miq, ju dhe fëmijët tuaj nesër, ashtu si dhe ne e fëmijët tanë këndej. Ata kanë për ta bërë bashkë atë dhe´ të të parëve tanë që rilindësit e ëndërruan, të rënët e ushqyen me gjakun e tyre dhe të gjallët e gëzojnë dhe e blerojnë. Ja pse kjo vajzë e bukur me emrin Azalea përpara të atit futi kaq shumë poezi në shpirtin tim. E ardhmja troket.
Amen!

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: