Prej 6 muajsh qëndron i shtrirë në një nga shtretërit e shërbimit të nefrologjisë në QSUT, pa mundur të lëviz as këmbë e as duar pasi i ka të thyera.

E quajnë Naim Kurti dhe është vetëm 42 vjec, por ngjan si 20 vite më i madh për shkak të dëmtimit të parikthyeshëm të dy veshkave që e kanë plakur para kohe. E si të mos mjaftonte sëmundja e rëndë me të cilën ka 11 vite që bashkëjeton, trupi i tij i brishtë i dobësuar nga dializa u dëmtua keqazi aksidentalisht, rreth 6 muaj më pare, teksa priste në radhë për një vizitë në QSUT.

Në Spitalin Ushtarak mjekët i thanë familjes se 42-vjeçari nuk do mund të ngrihet më në këmbë pasi kockat e thyera nuk mund te ngjiten më dhe se gjithë pjesën tjetër të jetës do të duhet ta kalojë në shtrat.

Nga ana tjetër i sëmuri në inavaliditet të plotë nuk mund të qëndrojë më as në spitalin “Nënë Tereza” pasi nga shërbimi përkatës është kërkuar dalja e tij, sikundër deklaron familja. I pamartuar dhe pa fëmijë për shkak të sëmundjes së rëndë, Naimi jeton në varfëri të plotë vetëm me nënën 84-vjeçare, në një shtëpi në fshatin Gurrë, 1 orë e 30 minuta nga Burreli.

Ndaj dhe brenga më e madhe për njerëzit më të afërt është vijimësia e jetës së 42-vjeçarit. Pasi në gjendjen tejet të rënduar shëndetësore ku ndodhet e ka totalisht të pamundur që të vijë nga Gurra në Tiranë tre herë në javë për të bërë dializën, aq më tepër kur të sëmurit i duhet një shtrat i posaçëm, një barelë lëvizëse dhe një autoambulancë në dispozicion.

E gjendur në udhëkryq dhe pa asnjë ndihmë nga shteti a pushteti vendor familja e 42-vjeçarit i ka kthyer sytë nga qytetarët e thjeshtë. Për të gjithë ata që kanë dëshirë të kontribuojnë financiarisht në ndihmë të 42-vjeçarit të sëmurë, numri i kontaktit është 0682326591.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: