Trajneri i mirënjohur, Mirel Josa, tashmë në rolin e analistit në emisionin “Euromania” të moderatores Daljana Sejdia, në televizionin “News 24”, komentoi finalen e madhe të Europianit mes Anglisë dhe Italisë që do të luhet më 11 korrik në “Uembli”.

58-vjeçari kryeqytetas, i bëri një analizë të detajuar kësaj përballje, teksa ndër të tjera u ndal për të komentuar edhe rrëfimin special të Antonio Kontes, duke u shprehur:

FINALJA ANGLI-ITALI – Ndeshje shumë e rëndësishme për të dy skuadrat, për egon dhe pritshmëritë që kanë pasur këto 2 skuadra, që për mendimin tim ishin pretendente pa filluar kampionatin. Erdhën në një finale, Italia nuk ka ndryshuar, Anglia ka pasur momente që ka ndryshuar në bazë të kundërshtarëve. Ishte Spanja që e detyroi Italinë të luante në atë formë.

Anglia dhe Italia janë dy skuadrat që kanë ekuilibirin më të mirë. Goditjet në kuadrat nuk janë një tregues shumë i madh. Ekuilibri vjen nga mesfusha, Italia luan me 3 mesfushorë të vendosur në sistemin 4-3-3, ndërsa Anglia ka një 4-2-3-1. Të dy lojtarët e Anglisë që luajnë para mbrojtës, Rajs dhe Filips, punojnë shumë. Kur ndonjë nga ata çedon, futet Henderson.

Kreativiteti i Italisë është më i madh. Anglia e kompeson me Kejnin dhe të dy krahët. Në dyluftimet 2 kundra 1 janë më të mirë se ata të Italisë.

Italia nuk mund të themi që ia ka marrë dorën finaleve, sepse i ka humbur 2 të tilla. Italia ka një qartësi taktike dhe disiplinë më të madhe sesa loja e natyrshme e anglezëve. Nuk është pak të humbësh 2 finale. Italia nuk kishte probleme sportive në 2006. Kishte një Juventus në formë të paparë.

Për mendimin tim penalltia e Anglisë nuk ishte. Në momentin që nuk ishte penalltia, Anglia mund të shënonte dhe më vonë, jo se nuk e meritoi. Por nga momentin që t’i ke VAR, shko shikojë dhe më pas vendos. Po të shkonte ta shikonte vetë, jam i sigurt që nuk do ta jepte.

ANALIZA E KONTES- Studion gjithë bota, nuk studion vetëm Italia. Jam dakord që Mançini nuk ka pse të ndryshojë. Eksperienca e Italisë është shumë më e madhe se e Anglisë, qoftë si skuadër qoftë si individë. Italia edhe kur ka humbur, ka ditur të shkojë aty. Kanë përgjegjësi karshi popullit të tyre. Është shumë i saktë Konte që thotë Anglia nuk është Spanja dhe duhet t’i bëjë presion. Nuk më pëlqen Konte për mënyrën si luan dhe e rreshton skuadrën.

LOJA E ANGLISË- Unë personalisht në rol trajneri do të ndërtojë të gjithë sulmet e Anglisë, në bazë të Kejnit. Ka shpejtësi të jashtëzakonshme për të shërbyer përpara. Anglia nuk ka asnjë lloj shansi me topa të gjatë me Italinë. Kielini dhe Bonuçi janë lojtarë ekspertë. Anglia do të luajë të njëjtën lojë si me Danimarkën dhe Gjermaninë.  Italia me 3 pasime bëri gol.

Anglia është e avantazhuar në krahun e majtë te Luk Shou, i cili ka bërë një kampionat shumë të mirë. Ndërsa Uoker është një lojtar tjetër që përdoret qoftë për të mbështetur përpara, por edhe në ekuilibra dhe dyluftime është i shkëlqyeshëm. Stons dhe Meguajër dalin përpara, ndërkohë që Uoker ruan ekuilibrat.

ROLI I TRAJNERËVE- Unë do të doja që të fitonte Mançini. Sauthgejt është një trajner që e ka marrë drejtimin e Anglisë, direkt pas U-21. Dëshira ime është të fitojë Italia, por është më e avantazhuar Anglia, është më mirë fizikisht.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb