Kryetarja e Komisionit të Ekonomisë, Milva Ekonomi, foli në rubrikën “Opinion”, në News24, për buxhetin e vitit 2021 të miratuar në seancën plenare të kësaj të enjteje. Ekonomi tha se projektbuxheti i 2021-shit është orientuar në tri dimensione të mëdha: shëndeti, rindërtimi dhe rimëkëmbja ekonomike.

Duke u ndalur te shëndetësia, socialistja shpjegoi vendimin e qeverisë për rimbursimin e barnave të atyre që kurohen në shtëpi nga Covid-19, duke thënë se receta do të jepet nga mjeku i familjes.

Ndërsa për një mbyllje tjetër totale të vendit, ajo u shpreh se nuk përjashtohet si skenar, por momentalisht nuk është skenar implementimi.

Pjesë nga intervista:
Cilët janë sektorët ku do të fokusohet buxheti i 2021?
Milva Ekonomi: Duhet të orientohej drejt tre dimensioneve të mëdha: shëndeti, rindërtimi dhe rimëkëmbja ekonomike. Me këto tre dimensione filloi dhe planifikimi i këtij projektbuxheti dhe risi është pesha që zë shëndetësia, që kemi një rritje historike me 23%. Sasia e parave që do të vihet në dispozicion është 1.2 miliardë lekë. Një sektor tjetër i rëndësishëm, që u mbështet, është ai infrastrukturës. Një dimension tjetër janë sektorët që i kanë dhënë kontribut ekonomisë gjatë kësaj periudhe.

Sektor i rëndësishëm është edhe ai i energjisë, për të cilin pati vëmendje. Edhe për arsimtarët është menduar rritja e pagës me 15%, pra dhe ata përfitojnë nga ky buxhet. Një gjë e rëndësishme në këtë buxhet është edhe fakti që ky buxhet vjen me një pagë minimale, që shkon në 30 mijë lekë të reja për çdo person. Buxheti mori në konsideratë edhe ndihmën që iu dha naftëtarëve, që do të marrin 40 mijë lekë të reja, duke shtuar mbi këtë pagë edhe kontributin, që e merr përsipër qeveria.

Vendimi për rimbursimin e barnave, çfarë do të thotë dhe si do të bëhet?
Kjo lidhet me çka ne kemi bërë në këto vite, ku kemi fuqizuar rolin e mjekut të familjes. Ky mjek do të lëshojë recetën për rimbursim, që mund ta marrësh në çdo farmaci në qytetin ku jeton. Kontakti me mjekun e familjes është një gjë e realizueshme. Mjeku i familjes do të nxjerrë një recetë për barnat që do të trajtojë sëmundjen, që i gjen në çdo farmaci. Këto barna duhet të jenë të miratuara nga Këshilli i Ministrave. Barnat e rimbursueshme do fillojnë të jepen që nga 1 dhjetori i këtij viti. Sot ne kemi katër spitale Covid në dispozicion të qytetarëve, që japin ndihmën në çdo rast.

Çfarë është shtuar në buxhet për pandeminë?
Rimbursimi do të kapë vlerën 1.2 miliardë lekë, që është shtuar direkt te buxheti i fondit. Kjo është një shifër që diskutohet me përhapjen që bën Komiteti i Ekspertëve. Për momentin planifikim është bërë mbi këto baza.

Nëse do të shkohet në një mbyllje të dytë a ka gati qeveria një paketë tjetër ndihme?
Ideja e mbylljes mund të jetë një skenar, por nuk është skenari që kemi në implementim. Deri tani është mbyllja me orare dhe ato rregullat që duhen zbatuar, si higjiena, distancomi, etj. Por besoj se qeveria në çdo moment është e gatshme për çdo skenar, ndonëse mbyllja nuk është e mirë për ekonominë.

Sa është parashikuar rritja ekonomike për vitin e ardhshëm, lidhur dhe me tërmetin e 26 nëntorit?
E gjithë bota ka pësuar rënie ekonomike këtë vit. Shqipëria ka një rënie me rreth 6-7%. Rritja ekonomike për vitin e ardhshëm parashikohet mes 5-6%. Sa i përket rindërtimit nuk do të bëhet gjithçka me paratë e qeverisë, por edhe të donatorëve. Rindërtimi do të thotë që të duhen më shumë materiale, fuqi punëtore, që bën që të vjelësh të ardhura. Këto janë ato që do t’i sjellin një nxitje rritjes ekonomike. Është bërë projeksioni që rindërtimi do të sjellë rritje ekonomike. Duhet të luftojmë fort që të arrijmë rritjen ekonomike deri në 6%.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb