Nga Tirana, Facebook kërkoi ndihmën e Autoritetit të Mediave Audiovizive AMA-s për të luftuar përmbajtjet me gjuhën e urrejtjes dhe dezinformimit
Kërkesa u parashtrua gjatë punimeve të Asamblesë së 22-t të Rrjetit Mesdhetar të Enteve Rregullatore audiovizive e cila çeli siparin me pjesëmarrjen e drejtuesve të enteve rregullatorë të 27 vendeve anëtarë të rrjetit Mesdhetar si dhe me pjesëmarrjen e veçantë të drejtuesve ekzekutivë të platformave Tik Tok dhe Facebook në Europë, të cilët diskutuan çështje të rëndësishme, siç janë sfidat me të cilat përballet mjedisi mediatik sot.
Gjatë Asamblesë, Shqipëria ka marrë presidencën e Rrjetit Mesdhetar të Enteve Rregullatore audiovizive. Kryetarja e AMA-s, Armela Krasniqi duke folur mbi rëndësinë e takimit të nivelit të lartë bëri një panoramë të aktivitetit të instituciont që drejton duke vënë theksin tek vetrregullimi dhe bashkërregullimi.
“Ne, si Autoritet Rregullator Shqiptar, duke e njohur rëndësinë e transpozimit të Direktivës së BE-së 2018/1808, në përmbushje të detyrimeve ndërkombëtare lidhur me procesin e integrimit të vendit në BE, jemi konsultuar me shumë institucione përgjegjëse për fillimin e procesit të transpozimit të një pjese të këtij akti juridik ndërkombëtar. Pas këtij procesi, në përputhje më këtë Direktivë, në maj të këtij viti, miratuam disa ndryshime në ligjin “Për mediat audiovizve në Republikën e Shqipërisë”, nëpërmjet të cilave forcuam kompetencat e AMA-s, duke rritur rolin e saj në inkurajimin e aktorëve dhe transmetuesve që operojnë në tregun shqiptar për edukimin mediatik të publikut; sigurojmë rritjen e transparencës së pronësisë së ofruesve të shërbimeve mediatik audioviziv; hedhim një hap më tej në forcimin e mbrojtjes së dinjitetit, të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, veçanërisht të fëmijëve, nga përmbajtjet që mund të dëmtojnë zhvillimin e tyre fizik, mendor ose moral; inkurajojmë vetërregullimin dhe bashkërregullimin”, tha gjatë fjalës Krasniqi e cila tashmë mban presidencën e MRNA-së.
Akti Evropian për Lirinë e Medias që pritet së shpejti të miratohet nga Këshilli i Europës , më konkretisht neni 17 i tij, u diskutua nga Drejtoresha e politikave publike e platformës META për Europën, Marisa Martin.
Drejtuesja ekzekutive e platformës përfshin Facebook-un, Instagram-in, Whatsapp-in dhe Threads kërkoi ndihmën e gjithë autoriteteve audiovizivë të mediave që të shërbejnë si ndërmjetës, në mënyrë që këto rrjete sociale të fshijnë përmbajtjet me gjuhën e urrejtjes apo dezinformimin.
Këtë veprim diktuar nga ligji që pritet të miratohet ne BE, drejtoresha e Facebook e quajti masën më radikale pasi tha se duhej monitorim rigoroz në gjuhët lokale. Ajo tha se raportimi duhet të vijë nga vetë autoriteteve audiovizive siç është në rastin e Shqipërisë AMA.
“Nëse ata qe verifikojnë të dhënat e pëlqejnë apo nuk e pëlqejnë nenin 17 të Aktit Europian për Lirinë e Medias, si dhe nenin për dezinformimin, ju duhet të zbuloni nga vjen dezinformimi. Dezinformimi mund të vijë nga mediat, nga gazetat, nga gazetaria jocilësore. Nëse vërtetë jeni kunder dezinformimit, ju lutem shikoni të gjitha këto burime nga vjen dezinformimi”, tha gjatë fjalës drejtoresha e politikave publike e Facebook për Europën, Marisa Martin.
Punimet e Asamblesë në ditën e dytë do të fokusohen tek eksperienca e UNESCO-s në mbrojtjen e lirisë së medias.
