Rikardo Kaka është një emër që do të mbahet mend gjithmonë në botën e futbollit. Braziliani që frymëzoi jo pak fëmijë është i fundit para Messi-t dhe Cristiano Ronaldo-s që ka fituar “Topin e Artë”.

Në një intervistë të fundit 35-vjeçari tregon se në karrierën e tij futbollistike diçka i ka mbetur peng. Pikërisht largimi nga Milani.

“Më kujtohet se kur shkova në Madrid u ndjeva i humbur. Shkova në Spanjë si lojtari më i mirë në botë, por vura në dyshim edhe faktin se kush isha. Në stolin e “Los Blancos” në atë kohë qëndronte portugezi José Mourinho me të cilin gjërat nuk shkuan shumë mirë. Nuk ka qenë e lehtë të punoja me të, sa herë që mendoja se do të më jepte një mundësi, diçka e tillë nuk ndodhte. Mendoja gjithnjë se mund t’i tregoja se kush isha, stërvitesha shumë, luftoja, madje edhe lutesha, por kënaqësia në fushë nuk erdhi. Më pas, kur u largova, mora një letër prej Mourinhos, ku më shkruante se isha një ndër profesionistët më të mirë që kishte stërvitur në karrierën e tij.”

Braziliani 35-vjeçar, që u transferua në “Santiago Bernabeu” për shifrën e 67 milionë eurove, që për atë kohë ishte blerja e dytë më shtrenjtë në historinë e futbollit, pas asaj të Zinedine Zidane, kujton edhe zhgënjimin më të madh që ka përjetuar ndërsa mbante veshur fanellën e Milanit, e që lidhet pikërisht me finalen e humbur të Champsionit në vitin 2005 përballë Liverpoolit.

“Ajo humbje u shoqërua me shumë spekulime, mediat flisnin se ne kishim festuar fitoren në dhomat e zhveshjes që në përfundim të pjesës së parë. Sigurisht që të gjitha këto fjalë ishin të rreme, aq më tepër për një skuadër si Milani, që në atë kohë kishte dhe një nga organikat më të mira në historinë e këtij klubi të madh.”

Ish-sulmuesi, që u tërhoq nga futbolli kur e ndjeu se ishte momenti i duhur, shton se nuk e sheh veten në rolin e teknikut e as atë të opinionistit, por në atë të një drejtuesi. Gjithsesi, edhe ky mbetet një vendim që duhet maturuar me kohën.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb