Policia spanjolle ka çuar në 6 numrin e shqiptarëve të arrestuar dhe në 9 numrin total, pas sekuestrimit të rreth 570 kg kokainë në dy ngarkesa të ndryshme të lidhura me njëra tjetrën në Denia dhe në Puig.

Fillimisht policia spanjolle arrestoi 3 britanikë dhe 2 shqiptarë, të cilët shkëmbyen 280 kg kokainë. Shqiptarët i dorëzuan kamionin plot me drogë britanikëve, të cilët u kapën gjatë përplasjes me makinën e policisë në Denia. Edhe pse të nesërmen u tha se ngarkesa tjetër prej 290 kg kokainë u gjet në ‘Audin Q5’ të dy shqiptarëve, ne fakt policia ka saktësuar se ajo u gjet në një banesë në Puig në Bashkinë e l’Horta Nord.

Veç 5 të arrestuarve të parë, policia spanjolle ka arritur të arrestojë edhe 4 shqiptarë të tjerë. Policia ka arritur të kapë në Llíria kreun e grupit kriminal, një shqiptar banues në Mas Camarena në Bétera si dhe “lietnantin” e tij, po shtetas shqiptar, banues në l’Eliana. Operacioni ka vijuar edhe në Valencia dhe në Massamagrell, ku janë arrestuar dy shqiptarë të tjerë. Të nëntë të arrestuarit janë lënë në burg nga Gjykata.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb