Kosova ka nisur përgatitjet me trajnerin e ri, Franko Foda, në prag të ndeshjeve  miqësore ndaj Armenisë dhe Hungarisë. Stërvitja e parë për këto miqësore është mbajtur, të hënën, në Kampin Nacional të FFK-së në Hajvali. Në këtë sesion të parë kanë qenë të pranishëm 17 futbollistë, ndërsa ekipi pritet të kompletohet në stërvitjen e nesërme. Atmosfera në kamp është shumë e mirë dhe angazhim i lojtarëve ka qenë në nivel të lartë në stërvitjen e parë.

Stërvitja përveç se ka shërbyer për t’u njohur më mirë stafi i trajnerëve me lojtarët, ka qenë edhe mjaft intensive. Ambicia dhe optimizmi për një periudhë të re e të suksesshme është e pranishme tek secili lojtar dhe stafi i Kombëtares. Pas përfundimit të stërvitjes, Vedat Muriqi dhe Drilon Hazrollaj, kanë shprehur optimizmin e tyre për një fazë të re dhe të suksesshme të Dardanëve.

Për Hazrollajn ky është grumbullimi i parë me Kombëtaren. E këtë moment ai po e shijon në maksimum.
“Ftesa e Kombëtares së Kosovës është privilegj dhe përgjegjësi. Shpresoj ta ndihmoj Kosovën pasi po kaloj në formë shumë të mirë me klubin tim. Grupi me ka pritur shumë mirë dhe më është dukur sikur të jem me vite pjesë e Kombëtares së Kosovës”, tha ndër të tjera ai pas stërvitjes për faqen zyrtare të FFK-së.

E njëri nga futbollistët më me përvojë, Vedat Muriqi tha se Kosova po e hap një faqe të re. “Ishte dita e parë e stërvitjeve dhe dita që u njoftuam përsëafërmi të gjithë me stafin e trajnerëve. Do e hapim një faqe tjetër dhe këto dy miqësore do të na shërbejnë që ta mësojmë taktikën dhe kërkesat e trajnerit. Në vizitën që trajneri Foda më bëri në Spanjë e kam njoftuar që grupi është i uritur për fitore”, tha ndër të tjera Muriqi në deklaratën pas stërvitjes.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: